Mbledhja e KQZ-së FOTO-Amire Qamili- Çollaku/KALLXO.com

KQZ anulon dy vendvotime

Burim Ahmetaj, kryeshef ekzekutiv i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ka rekomanduar që të anulohen dy vendvotime njëra në Vushtrri tjetra në Mitrovicën e Veriut.

Anëtarët e KQZ-së kanë marrë vendim për t’i përjashtuar nga rezultati vendvotimet 2717B/01R (Vushtrri) dhe 3805B/05R (Mitrovicë e Veriut) të cilat sipas Ahmetajt, edhe pas rinumërimit, rezulton se ka mospërputhje në mes të nënshkrimeve dhe fletëvotimeve, e ku rezultojnë të jenë 5 respektivisht 10 fletëvotime më shumë se nënshkrime.

Gjatë kësaj dite në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) janë duke u numëruar votat e ardhura përmes postës.

“Sot ka filluar procesi i numërimit të votave me postë i cili mendojmë se do të mbyllet nesër dhe t’i përfshijmë në rezultatet përfundimtare”, tha Ahmetaj.

Sami Kurteshi anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ ka shprehur shqetësime lidhur me anulimet e votave të ardhura me postë.

Kurteshi tha se nëse në një pako janë 10 fletëvotime dhe vetëm njëri nga ta nuk i ka plotësuar dokumentet e nevojshme, atëherë sipas tij nuk duhet që 10 votat të shpallen të pavlefshme, por vetëm ajo e cila nuk ka dërguar dokumentacionet e nevojshme.

Ahmetaj tha se kanë pranuar 9 mijë e 748 pako të supozuara me fletëvotime pas përfundimit të periudhës së votimit përmes postës e cila është mbyllur me 12 shkurt 2021.

“Tërheqja është bërë me qëllim të ruajtjes së të dhënave personale. Tërheqja është bërë në 3 ditë të ndryshme 18, 19 dhe 25 shkurt. 9 mijë e 748 pako janë tërhequr gjithsej dhe janë vendosur në depon qendrore të KQZ-së”, tha Ahmetaj.

Ndërsa, pakot të cilat janë pranuar gjatë periudhës së votimit me postë, sipas Ahmetajt, janë 42 mijë e 477 pako me fletëvotime të supozuara.