Qeveria e re e Kosovës përballë kërkesave për dialogun me Serbinë

Pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare që u mbajtën më 14 shkurt, Qeverisë së ardhshme të Kosovës ende pa u formuar, po i kërkohet rifillimi i procesit të dialogut me Serbinë.

Sipas rezultateve preliminare, fituese e zgjedhjeve ka dalë Lëvizja Vetëvendosje, me kandidatin për kryeministër, kryetarin e saj Albin Kurti.

Tri ditë pas zgjedhjeve, Kosova shënoi 13 vjetorin e shpalljes së pavarësisë dhe në kuadër të urimeve që mori nga liderë të vendeve evropiane dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u kërkua që në fokus të jetë mes tjerash dialogu me Serbinë.

Në anën tjetër, kreu i LVV-së, Albin Kurti ka deklaruar se procesi i negociatave me palën serbe, nuk do të jetë në mesin e prioriteteve të qeverisë së tij.

“Nuk do ta kemi prioritet formimin e ekipit të dialogut me Serbinë. Ju e dini shumë mirë që në të gjitha matjet e opinionit publik, dialogu me Serbinë është herë në vendin e gjashtë e herë në vendin e shtatë. Neve na kanë zgjedhur këta qytetarë, ne ju përgjigjemi atyre. Prioritet e kemi drejtësinë dhe punësimin”, tha Kurti në konferencë për media, më 14 shkurt, pas mbylljes së vendvotimeve.

Lidhur me këtë çështje, njohës vendor dhe ndërkombëtar të procesit të dialogut Kosovë-Serbi dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, japin vlerësimet e tyre për këto zhvillime.

Violeta Haxholli, hulumtuese nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), thotë për KALLXO.com se shtetet evropiane, Bashkimi Evropian dhe ShBA-ja, e kanë përsëritur disa herë që dialogu është interes i tyre strategjik, sepse kjo lidhet direkt me sigurimin e një paqeje të qëndrueshme në Ballkan.

“Pas arritjes së marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë për emrin, Kosova dhe Serbia mbeten çështja e fundit e pa mbyllur në rajon. Prandaj arritja e një marrëveshje përmbyllëse mes Kosovës dhe Serbisë do të mbetet fokus i bashkësisë ndërkombëtare”, shprehet ajo.

Haxholli ka shtuar se në këto rrethana, Kuvendi i ri i Kosovës i dalë nga zgjedhjet dhe qeveria e presidenti i ardhshëm, që do të zgjidhen nga ky Kuvend, duhet ta kenë parasysh se që në ditët e para të punës do të vazhdojnë kërkesat nga partnerët ndërkombëtarë për të vazhduar dialogun me Serbinë dhe përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje finale.

Prandaj, siç vlerëson ajo, Kosova duhet të jetë gati që t’u përgjigjet këtyre kërkesave në mënyrën e duhur duke ruajtur raportet me partnerët ndërkombëtar.

“Në listën e prioriteteve të ekzekutivit të ardhshëm, duhet të jetë edhe dialogu, sepse politika e brendshme nuk është zëvendësim për politikën e jashtme dhe ekzekutivi ka mandat dhe përgjegjësi kushtetuese që të trajtojë edhe politikën e brendshme edhe atë të jashtme”, thotë Haxholli.

Hulumtuesja nga KDI-ja, thekson se pozitive për Kosovën është që rrethanat janë të favorshme për vazhdimin e dialogut me Serbinë, duke pasur në Shtëpinë e Bardhë presidentin amerikan Joe Biden, “i cili e njeh mirë kontekstin politik në Kosovë dhe në Ballkan, për më tepër dihet kontributi i tij i çmuar për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës”.

“Prandaj, Kosova duhet që sa më shpejt të artikulojë qartë kërkesat e saj për dialogun dhe të lobojë për këto kërkesa te miqtë ndërkombëtar”, përfundoi ajo.

Aidan Hehir profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Westminster në Britaninë  e Madhe, thotë për KALLXO.com se dialogu midis Serbisë dhe Kosovës ka qenë një dështim për një kohë të gjatë.

“Pavarësisht nëse ndërmjetësohet nga BE ose ShBA, bisedimet kanë arritur pak sukses. Si i tillë, refuzimi i Vetëvendosjes për të vazhduar të marrë pjesë në këtë karakterizim është i mirëpritur. Qëndrimi i Vetëvendosjes për bisedimet ka qenë shumë i qartë për shumë vite dhe fitorja e tyre e jashtëzakonshme në zgjedhje demonstron se shumica e njerëzve në Kosovë pajtohen me ta”, shtoi ai.

Hehir ka përmendur faktin se Kosova as nuk është njohur si shtet nga Serbia dhe as nuk ka siguruar liberalizimin e vizave nga shtetet e BE-së.

“Është sinqerisht e pabesueshme që këto bisedime kanë vazhduar për kaq shumë kohë pa e njohur Serbia Kosovën ose mospranimi i nevojës për të korrigjuar dhunën e kryer nga forcat e tyre në vitet 1990. Për më tepër, përkundër të gjitha lëshimeve që ka bërë, Kosova ende nuk ka marrë liberalizimin e vizave, ndërsa shanset e saj për t’u bashkuar me BE mbeten të papërfillshme”, theksoi ai për KALLXO.com.

“Si e tillë, do të ishte e çuditshme nëse Qeveria e Kosovës do të vazhdonte të merrte pjesë në këto bisedime në mënyrën që kanë bërë deri më tani, duke qenë se vendi ka marrë kaq pak deri më sot; Qëndrimi i Vetëvendosjes ka kuptim të përsosur”, shtoi profesori.

Bashkimi Evropian si ndërmjetësues, është shprehur i gatshëm që të vazhdohet me negociatat mes të dyja vendeve.

“Ne jemi gati të vazhdojmë sapo Qeveria e re në Prishtinë të marrë detyrën”, ka thënë emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi Mirosllav Lajçak.

Kurse, presidenti i ShBA-ve Joe Biden, në një telegram urimi për 13-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ka përmendur edhe marrëveshja me Serbinë, për të cilën thuhet se “në qendër e ka njohjen e ndërsjellë”.

“Ne mezi presim që të punojmë me Qeverinë e ardhshme për ta çuar Kosovën përpara në rrugën e saj evropiane. Ka shumë punë për të bërë përfshirë marrëveshjen gjithëpërfshirëse të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë që në qendër e ka njohjen e ndërsjellë, me të cilën forcohet sundimi i ligjit, përballimi i pandemisë globale COVID-19 dhe nxitja e rritjes ekonomike që mundëson një të ardhshme të prosperuar për të gjithë qytetarët e Kosovës”, thuhet në letrën e Biden.

Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit Ned Price ka deklaruar, se ShBA-të do të do të inkurajojnë Qeverinë e re të Kosovës, që sapo të jetë formuar, t’u japë përparësi negociatave me Serbinë.

“Sa i përket dialogut me Serbinë, Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqimisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja midis Kosovës dhe Serbisë që synon një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit, e cila duhet të përqendrohet në njohjen reciproke”, tha zëdhënësi i DASh-it. 

Kosova dhe Serbia me 4 shtator të vitit të kaluar kanë nënshkruar një marrëveshjes zotimesh, nën ndërmjetësimin e ish-presidentit të ShBA-ve, Donald Trump.

Këtë vit bëhen dhjetë vjet që nga nisja e negociatave për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.