Bregdeti shqiptar - 2020

INSTAT: 42.5 për qind turistë të huaj më shumë erdhën në Shqipëri krahasuar me vitin paraprak

Turizmi ka mbajtur ritëm më të mirë sa i takon të huajve që vizituan Shqipërinë edhe për muajin maj edhe pse kjo rritje ishte më e ngadaltë se muajt paraardhës.

Sipas Institutit të Statistikave në maj kanë hyrë 705,079 shtetas të huaj në territorin shqiptar me një rritje prej 16.7 për qind në raport me majin e një viti më parë.

Sipas INSTAT, gjatë pesëmujorit të parë 2023, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 2,389,899. Ky numër është rritur me 42,5%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022.

“Hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin maj 2023, janë 1,230,165. Ky tregues rezulton me një rritje 14,5%, krahasuar me maj 2022. Daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit maj 2023, janë 1,120,387, duke shënuar një rënie me 0,1%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë” – thuhet në publikim.

Ecuria e mirë e turizmit gjatë këtij viti është konfirmuar edhe nga bizneset të cilët kanë pritshmëri se ky do të jetë një vit edhe më i mirë sesa viti 2022, që ishte viti historik me shifrat më të larta sa i takon vizitorëve.

Kjo lidhet me faktin që ka një rritje të turistëve me grupe të organizuara sidomos nga Polonia dhe Spanja por edhe të turistëve individualë nga e gjithë Europa.

Udhëtimet e shqiptarëve jashtë vendit

Shqiptarët kanë udhëtuar më pak gjatë majit të këtij viti.

“Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit maj 2023 janë 490,041. Krahasuar me maj 2022, ky tregues ka rënë me 5,3%. Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit maj 2023, janë 630,346.

Krahasuar me maj 2022, ky tregues është rritur me 4,4%. Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë gjatë pesëmujorit të parë 2023, është 2,447,719, duke u rritur me 21,1%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë“ thuhet në publikimin e INSTAT./Telegrafi