Ilustrim

Inspektorati i Tregut dënon tri pika të karburanteve dhe "konstaton" shtrenjtimin e bukës në Gjilan

Inspektorati i Tregut ka njoftuar se sot ka inspektuar pikat e karburanteve në tërë territorin e Kosovës me ç‘rast janë marrë masa ndëshkuese ndaj tre operatorëve ekonomikë që nuk kanë respektuar përcaktimin e çmimeve maksimale të lejuara.

Këto pika të karburanteve janë urdhëruar të rregullojnë çmimet sipas njoftimit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

“Nga 22 pika të karburantit të inspektuar, te 19 Operatorë Ekonomikë është konstatuar që janë duke respektuar çmimet maksimale të lejuar, kurse 3 Operatorë Ekonomikë nuk kanë respektuar përcaktimin e çmimeve, prandaj të njëjtët janë urdhëruar që menjëherë të rregullojnë çmimet sipas njoftimit të MINT dhe ndaj tyre janë marrë masa ndëshkuese në pajtim me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftim.

Në njoftim thuhet se inspektorët kanë inspektuar disa furra të bukës në Gjilan, me qëllim të verifikimit të çmimeve të bukës.

Sipas njoftimit, inspektorët kanë kërkuar dokumentacionin e nevojshëm për të vlerësuar nëse ngritja është si pasojë e ngritjes së çmimeve të produkteve të tjera si mielli, vaji etj.

“Inspektorët e tregut kanë verifikuar çmimet, deklaracionin dhe peshën e bukës. Me këtë rast është konstatuar që ka ngritje të çmimit të bukës prej 0.50 € në 0.60 €. Inspektorët e tregut kanë kërkuar dokumentacionin e nevojshëm për të vlerësuar nëse ngritja është si pasojë e ngritjes së çmimeve të produkteve të tjera si miell, vaj etj, apo është ngritje artificiale apo të pajustifikueshme”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se pas vlerësimit do të merren masa në pajtim me legjislacionin në fuqi.

Inspektorati i Tregut u jep 3 ditë afat furrtarëve të Gjilanit të arsyetojnë shtrenjtimin e çmimit të bukës