Shteti gjen parregullsi në katër kompani që bëjnë përpunim të naftës

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka njoftuar se kanë marrë vendim që katër subjekteve që merren me përpunimin e produkteve të naftës t’i pezullohet autorizimi duke mos ua vazhduar si shkak i parregullsive të cilat i kanë gjetur.

Ministrja Hajdari tha se organet kompetente po punojnë për ta zbatuar ligjin.

Sipas saj Dogana është duke mbikëqyr zbatimin e ligjit para hyrjes së produkteve në treg kurse inspektorati i tregut sipas saj po kontrollon karburantet në tregun e brendshëm dhe të përdoruesit fundor.

“Në kuadër të kompetencave të veta Dogana ka kryer kontroll e analiza ne katër subjekte qe merren me përpunimin e produkteve të naftës dhe ka gjet pa rregullsi të shumta që pengojnë mbikëqyrjen rrezikojnë cilësinë e produkteve dhe mund të sjellin dëm buxhetit të shtetit. Dogana ka pezulluar autorizimet nuk ju ka vazhduar autorizimet katër subjekteve”, ka thënë Hajdari.

Sipas ministres Hajdari, disa nga subjektet u kanë shitur produkte të naftës kompanive të palicencuara, nuk kanë përdorur mjete matëse të verifikuara si dhe kanë shmangur akcizën duke deklaruar gabimisht përbërjen e produktit.

“Këto veprime e mos veprime përbëjnë shkelje të ligjit. Andaj duke u mbështet në fakte që ka konstatuar dogana, ne si ministri kemi revokuar dhe pezulluar katër subjekteve lejet për importin e lëndës së parë deponimin e lëndës së parë dhe produktit final, si dhe shitjen me shumicë të produktit final që është vaji i rëndë ose mazut”, tha ajo.

“Po, janë kompanitë ‘Kosova refinery”, “Kulla Exim SHPK”, “In oil” dhe “Petrol company”, që operojnë në tërë Kosovën”, tha ministrja Hajdari për kompanitë ndaj të cilëve është marrë vendimi për pezullim.

Sipas Hajdarit, njërit subjekt i kanë pezulluar edhe lejen për importin e vajrave të rënda.

“Ndaj po të njëjtit subjekt po zhvillojmë procedura për mashtrim me cilësinë e karburanteve që subjekti u ka shitur institucioneve publike. Gjatë javëve të fundit kemi marrë dhe testuar disa mostra të dizelit në kazermat e FSK-së. Kemi gjetur shumë raste të jokonfirmitetit”, tha ajo.

Edhe drejtori i Doganës Agron Llugaliu tha se Dogana e Kosovës bazuar në licencat që kjo ministri ka lëshuar ndër vite, ka lëshuar autorizime të cilat kanë mundësuar që dy komponent të ndryshëm të vajrave të rënda të përzihen me një proces i cili mundëson që të ul përqindjen e sulfurit në normat e lejuara për përdorim në treg.

“Përveç çështjes në të hyra, ka pas rrezik edhe në cilësinë e derivateve në tregun e brendshëm e po ashtu për shkak të përmbajtjes së lartë të sulfurit është rrezik për ambientin edhe shëndetin e njeriut”, tha ai.

Llugaliu ka përmendur edhe disa gjetje.

“Kamerat edhe pse kanë qenë të vendosura nuk kanë ruajt incizimet, ka pas shitje të produkteve të gatshme te subjektet që nuk kanë pas licencë për operim për shitje me shumicë, ka pa stoqe që nuk janë barazuar në shitje te prodhuesit tjerë”, tha ai.