MINT: Masat për rregullimin e çmimeve të produkteve të naftës do të merren nga Inspektorati i Tregut

Sot janë bërë një muaj prej kur ka hyrë në fuqi Udhëzimi Administrativ për rregullimin e çmimit të produkteve të naftës.

Ky UA ka qenë në fuqi për 30 ditë dhe tashmë pas kalimit të kësaj kohe, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka njoftuar se masat në vijim për Rregullimin e Çmimeve të Produkteve të Naftës do të merren sipas evidencës së inspektimeve me gjetje nga Inspektorati i Tregut.

MINT ka thënë se kjo do të bëhet në bashkëpunim me Administratën Tatimore të Kosovës, me Doganën e Kosovës, Autoritetin e Konkurrencës, Shoqatën e Naftëtarëve dhe bizneset individuale të naftës dhe me konsumatorët.

“Masat në vijim për Rregullimin e Çmimeve të Produkteve të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtërishme dhe Masat e tjera Mbrojtëse, do të merren sipas evidencës së inspektimeve me gjetje nga Inspektorati i Tregut në nivel qendror dhe komunal në bashkëpunim me Administratën Tatimore të Kosovës dhe në komunikim e konsultim të afërt me Doganën e Kosovës, Autoritetin e Konkurrencës, Shoqatën e Naftëtarëve dhe bizneset individuale të naftës dhe me konsumatorët”, thuhet në njoftim.

Qeveria e Kosovës me 22 qershor ka votuar Udhëzimin Administrativ për rregullimin e çmimeve të produkteve të naftës dhe karburanteve të ripërtërishme dhe masave të tjera mbrojtëse.

Udhëzimi administrativ ka hyrë në fuqi më 24 qershor dhe ka qenë në fuqi për 30 ditë.

“Rregullimi i çmimeve dhe masat nga paragrafi 1 i këtij neni mbeten në fuqi tridhjetë (30) ditë, përveç nëse shfuqizohen ose ndryshohen me vendim sipas nenit 7 të këtij udhëzimi administrativ”, thuhet në vendimin e publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka thënë se masat dhe veprimet e ndërmarra kundër rritjes së çmimeve në sektorin e naftës, ka dhënë efekte dhe rezultate pozitive për qytetarët.

Çmimi maksimal i lejuar për shitjen e naftës nga pompat e derivateve në Kosovë është 1.69 euro për litër, për benzinë është 1.53 euro dhe çmimi maksimal i lejuar për shitjen e gazit është 0.78 euro.

Këto çmime janë ulur krahasuar me çmimin që ka qenë më 24 qershor.

Çmimi i naftës është ulur për 26 centë, çmimi i benzinës për 40 centë ndërsa ai i gazit për 13 centë.

Ndërsa më 24 qershor çmimi i naftës ka qenë 1.95 euro, 1.93 euro çmimi i litrit të bemzinës dhe 0.91 euro çmimi i gazit.