
Foto: REL/AFP
IKShPK për virusin në Kinë: Nuk ka të prekur në Kosovë, por duhet bërë kujdes
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë, ka njoftuar se deri më tani nuk është regjistruar asnjë rast i prekur nga virus “2019-nCoV”, virus ky që shënoi viktima ditëve të fundit në Kinë.
IKSHPK-ja ka bërë të ditur përmes një komunikate për media se ky virus është i rrezikshëm në rast të shfaqjes së komplikimeve të sëmundjes, sidomos për personat me imunodeficiencë dhe sëmundje kronike.
Sipas tyre, mundësia e përhapjes së këtij virusi ekziston në çdo vend, në rast të kontaktit me burimin e infeksionit siç janë personat që vijnë nga vendet e prekura me këtë virus. Aktualisht, rastet e infektuara në Kinë janë eksportuar në SH.B.A., Tajlandë, Japoni dhe Republikën e Koresë.
Instituti më tej ka thënë se janë duke e monitoruar nga afër gjendjen dhe ka bërë thirrje për kujdes.
“Çdo rast i dyshimtë i sëmundjes duhet të raportohet nga Kujdesi Parësor Shëndetësor dhe institucionet tjera shëndetësore publike dhe private, brenda 24 orëve (e dëshirueshme sa më parë që është e mundshme me mjetin e komunikimit më të shpejtë) në Qendrat Rajonale të Shëndetësisë Publike dhe IKShPK”, thuhet mes tjerash në njoftim.
IKSHPK lidhur me pasojat e këtij virusi, ka ndarë edhe masat e parandalimit:
- Shmangia e kontaktit të ngushtë me njerëzit që vuajnë nga infeksione akute të frymëmarrjes.
- Larja e shpeshtë e duarve, veçanërisht pas kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit e sëmurë ose në vendqëndrimin e tyre.
- Shmangia e prekjes së fytyrës dhe mbulimi i gojës dhe hundës me faculetë, me mëngë ose parakrahë gjatë kollës dhe teshtitjes. Hudhni faculetat e përdorura në shportën më të afërt të mbeturinave.
- Nëse keni ethe, kollë dhe vështirësi në frymëmarrje kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore dhe tregoni historinë eventuale të udhëtimit jashtë vendit.
- Personat e sëmurë duhet të qëndrojnë në shtëpi në mënyrë që të parandalohet përhapja e sëmundjes.
- Të evitohen vendet e mbyllura dhe të mbingarkuara me njerëz.
- Personat të cilët kanë qenë në provincën Wuhan, Kinë brenda 2 javëve të fundit dhe kanë ethe, kollë ose vështirësi në frymëmarrje, duhet menjëherë të kërkojnë ndihmë mjekësore.