I prekuri i fundit me coronavirus nga Dumnica e Podujevës

I prekuri i shtatëmbëdhjetë me coronavirus në Kosovë është nga fshati Dumnicë i Podujevës.

Lajmin për këtë e ka bërë të ditur drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë, Naser Ramadani në jë konferencë për media.

Rasti i fundit është nga Dumnica, familjar i rastit të parë në po këtë vend.

Deri më tani në Kosovë janë identifikuar 17 persona të prekur me virusin COVID-19. Qytetet si Vitia, Malisheva, Podujeva dhe Klina janë në karantinë pasi në këto qytete u identifikuan disa të prekur me virus.

Ndërkaq, tre persona të prekur me coronavirus janë identifikuar në Aeroportin e Prishtinës pasi erdhën nga Londra.

Qeveria e Kosovës ditë më parë ka shpallur gjendjen emergjente pas situatës me rrezikun e shpërndarjes së këtij virusi.

Momentalisht në botë numërohen mbi 180 mijë të infektuar me këtë virus, dhe mbi 7 mijë kanë vdekur.

Epiqendra e virusit tashmë nga Kina ka kaluar në Evropë, duke e bërë Italinë vendin më të prekur në botë.