I dyshuari shantazhoi 15-vjeçaren për të kryer marrëdhënie, Policia e Shtetit sekuestron pamje nga rrjetet sociale

Policia e Shtetit ka njoftuar se kanë intervenuar në një rast të ngacmimit seksual në rrjete sociale, ndaj një të miture, 15 vjeçare.

Sipas njoftimit të Policisë shqiptare, janë sekuestruar qindra pamje filmike, foto/video, profile Tik-Tok dhe rrjete të tjera sociale, të cilat priten t’i nënshtrohen një analize të thellë hetimore.

Lidhur më këtë rast, shtetasi B. Ç., 27 vjeç, banues në Tiranë është ndaluar.

Sipas policisë, dyshohet se ky shtetas, i ka hapur profile false, një 15 vjeçareje, në rrjete sociale, e shantazhonte për ti dërguar foto/video intime dhe për të kryer marrëdhënie seksuale me të.

“Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike në DVP Tiranë, pas kallëzimit të bërë nga një e mitur 15-vjeçare, se një shtetas i kishte hapur profile false në rrjete sociale dhe e shantazhonte për ti dërguar foto/video intime, si dhe për të kryer marrëdhënie seksuale me të, menjëherë kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorit” – thuhet në njoftimin e Policisë të publikuar më 18.02.2024

Gjithashtu, thuhet se nga veprimet hetimore të kryera, janë dokumentuar dy ngjarje të tjera të kësaj natyre kriminale, me autor të dyshuar 27-vjeçarin dhe dy të dëmtuara 15 dhe 16 vjeçe.

“Duke marrë në kosideratë, që këto raste sjellin pasoja të rënda, Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike në DVP Tiranë, i bën thirrje të gjithë përdoruesve të rrjeteve sociale, kryesisht grave dhe vajzave, që në çdo moment që do të konstatojnë profile me të dhënat ose fotot e tyre, që do të ndjejnë pasiguri ose frikë, të paraqiten pranë zyrave tona në DVP Tiranë, për të depozituar kallëzim” – ka apeluar Policia shqiptare.