I dyshuari si administrator i grupit 'Albkings' në Telegram, i ulur në gjykatë: Foto: Kallxo.com/18.04.2024

I dyshuari për shpërndarjen e pamjeve denigruese të vajzave/grave në 'Telegram' sillet para gjykatës

Gjykata e Prishtinës pritet të vendosë të enjten më 18.04.2024 për caktimin e masës së sigurisë ndaj njërit prej të arrestuarve të grupit ‘AlbKings’.

Seanca ndaj tij siç mëson Kallxo.com pritet të mbahet e mbyllur për publikun.

Zëdhënësja e Prokurorisë së Prishtinës, Laureta Ulaj e ka konfirmuar se prokurori i çështjes ka kërkuar paraburgimin ndaj njërit prej administratorëve të grupit ‘AlbKings’, i cili u arrestua nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Vjedhja e identitetit dhe kredencialeve’.

Kallxo.com mëson kërkesa e Prokurorisë është duke u trajtuar nga gjyqtarja e Gjykatës së Prishtinës, Donikë Shala.

Personi në fjalë u arrestua më 16.04.2024 dhe më pas ishte ndaluar për 48 orë pas zbatimit të masave të fshehta teknike të hetimit dhe vëzhgimit nën dyshimin për kryerjen e veprës penale – Vjedhja e identitetit dhe kredencialeve.

Siç raportoi Kallxo.com, njëri nga administratorët e grupit “AlbKings” i cili u arrestua  nga Policia, dyshohet për shpërndarjen e të dhëna personale, emrave, mbiemrave, numrave të telefonit si dhe video e fotografi intime, denigruese kryesisht të vajzave dhe grave në rrjetin social “Telegram”.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se sipas detyrës zyrtare ka iniciuar hetime dhe në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës-Njësinë e Hetimeve të Krimeve Kibernetike ka ndërmarrë veprime hetimore në identifikimin e personave të cilët kanë menaxhuar këtë llogari dhe grupe të tjera që ndërlidhen me këtë grup.

Sipas njoftimit, përmes këtij grupi është bërë shpërndarja e fotografive dhe videove të ndryshme intime të vajzave/grave, përfshirë edhe të dhënat personale të tyre për ofrimin e shërbimeve seksuale.

Prokuroria njoftoi të mërkurën më 17.04.2024, se i dyshuari është ndaluar për 48 orë për shkak të veprës penale “Vjedhja e identitetit dhe kredencialeve”.

“Pas zbatimit të masave të fshehta teknike të hetimit dhe vëzhgimit, në orët e vona të dt.16.04.2024, është arrestuar fillimisht i dyshuari dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë njëri nga administratorët e grupit në fjalë, për shkak të veprës penale “Vjedhja e identitetit dhe kredencialeve”, sipas KPRK-së, derisa  në koordinim me policinë do të vazhdojnë të ndërmerren veprimet tjera shtesë hetimore në identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rast”- njoftoi Prokuroria.

Një hulumtim i KALLXO.com pati zbuluar se në vend ishte krijuar një grup i cili në kohë rekorde kishte arritur të mblidhte mbi 112 mijë anëtarë.

Në grup  shpërndaheshin të dhëna personale, emra, mbiemra, numra të telefonit si dhe video e fotografi intime, denigruese kryesisht të vajzave dhe grave.

Pjesë e publikimeve në grup ishin edhe fotografi të montuara që njihen si “Deep fake”, të personave, fytyrave publike të cilët kanë reaguar apo raportuar për këtë grup.

“A ka ndonjë foto, qysh me pa ma shumë foto”- shkruante njëri nga anëtarët me emrin e koduar si “Private Account”. “Sa ke çmimi dhe e kahit?”- ishte një pyetje tjetër e “Bafto Baftjari” në këtë grup. “Rregullat” e grupit dërgohen disa herë që anëtarët të kujdesen që mos t’i shkelin ato.

Në Kosovë, shpërndarja e paautorizuar e fotografive apo pamjeve të tjera është vepër penale e dënueshme me Kodin Penal.

Njëri nga anëtarët e grupit ishte arrestuar në shkurt të këtij viti.

Sipas një dokumenti të siguruar nga KALLXO.com, më 14.01.2024, një 18-vjeçar nga Prizreni me inicialet L. B., dyshohet se përmes telefonit të tij fillimisht kishte kërkuar nga një vajzë që të kryente disa veprime sipas dëshirës së tij, por që e njëjta nuk kishte pranuar.

Sipas dosjes, refuzimi i vajzës për të kryer veprime çoi deri te kërcënimi ndaj saj nga i dyshuari L. B., se do t’i publikonte apo shpërndante fotografi të së njëjtës si dhe të dhëna të tjera personale.

Dosja thotë se vajza nuk i ishte bindur kërkesave të 18-vjeçarit dhe më pas ky i fundit kishte publikuar fotografi të viktimës në rrjetin social “Telegram”, konkretisht në një grup në të cilin atë kohë ishin të anëtarësuar rreth 80 mijë persona.

Kur vajza kishte kuptuar këtë çështje, menjëherë i ishte drejtuar organeve të rendit të cilët kishin nisur edhe të trajtonin ngjarjen e cila përfundoi me arrestim e të dyshuarit më 05.02.2024.

Kosovarët nisin të përdorin grupet e rrezikshme në ‘Telegram’

Rrjeti social “Telegram” është krijuar në vitin 2013, ndërsa themeluesit janë dy vëllezër, Pavel dhe Nikolai Durov – të dy me prejardhje ruse.

Ekipi i “Telegram” është i vendosur në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe, ndërsa ishte detyruar të largohej nga Rusia për shkak të rregulloreve lokale.

Qëllimi i këtij aplikacioni ishte mbrojtja e privatësisë, përgjimit nga palët e treta.

Ndërsa arsyeja se pse “lejohet” paligjshmëria në këtë aplikacion në bazë të të dhënave zyrtare të vetë “Telegram”-it është se të gjitha bisedat janë në grupe private dhe se nuk përpunohet asnjë kërkesë në lidhje me to.

Në “Telegram” aktualisht mund të gjesh kanale dhe grupe të ndryshme të cilat u dedikohen specifikisht aktiviteteve ilegale.

Shënim: Redaksia e KALLXO.com ka vendosur që për shkak të sigurisë kibernetike të gazetarëve të mbuloj emrin e gazetarëve.