I dërgoi 2 vajzat e saj të mitura në Suedi që të kërkonin azil, arrestohet një grua nga Tirana

Policia Kufitare e Shqipërisë, ka identifikuar se 36-vjeçare që banon në Tiranë, e ka braktisur në Suedi dy vajzat e saj të mitura të moshës 13 dhe 15 vjeçe me qëllim që të kërkonin azil në këtë shtet.

Policia e Shtetit të Shqipërisë ka njoftuar se me këtë rast është duke u ndjekur penalisht 36-vjeçarja, kurse në kuadër të bashkëpunimit me autoritetet policore në Suedi, dy vajzat e mitura janë kthyer në Shqipëri.

“Policia Kufitare e Rinasit, në vijim të punës për parandalimin e azilkërkimit dhe braktisjen e fëmijëve apo familjarëve të mitur, në vendet e BE-së apo në vende të tjera, me qëllim azilkërkimin, ka intensifikuar punën për kontrollin e imtësishëm të dokumentacionit për të udhëtuar dhe intervistimet për arsyen dhe qëllimin e udhëtimit jashtë vendit apo të atyre që kthehen në Shqipëri, duke braktisur fëmijët apo familjarët e mitur, me qëllim kërkimin e azilit” – është thënë në njoftimin e Policisë.

“Si rezultat, është evidentuar një rast i braktisjes së fëmijëve të mitur, në vendet e BE-së, me qëllim për të kërkuar azil. Për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen D. Ç., 36 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale “Braktisja e fëmijëve të mitur”” – është bërë e ditur tutje.

Përmes këtij njoftimi është bërë e ditur se Policia Kufitare do të vijojë kontrollet në të gjitha pikat e kalimit, për dokumentacionin, si dhe intervistime për përmbushjen e kushteve për lëvizjen drejt vendeve të BE-së apo vendeve të tjera, për të gjithë qytetarët.

“Gjithashtu, do të vijojë bashkëpunimi i ngushtë me homologët e të gjitha vendeve të hapësirës SCHENGEN e më gjerë, për verifikimin, identifikimin dhe ndëshkimin ligjor të të gjithë atyre që braktisin të miturit, për qëllime azilkërkimi” – ka shtuar tutje Polica.