Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hykmete Bajrami: LDK e ka prioritet ta përfundojë dialogun, e ta shtrijë sovranitetin në veri

Në #DebatPernime, kandidatja për deputete, Hykmete Bajrami, dha zotimet e saj dhe të LDK-së zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Premtimet dhe zotimet e LDK-së do të mbikëqyren nga krypometri, i cili është produkt matës për deklaratat e vërteta dhe të rreme për zyrtarë, deputetë e ministra që drejtojnë Kosovën.

Hykmete Bajrami, e cila është aktualisht edhe ministre në detyrë i Ekonomisë tha në debat se LDK përmes dialogut do ta zgjidhë edhe kontrabandën në veri. Sipas Bajramit prioritet i tyre është përfundimi i dialogut në mënyrë që sovraniteti i Kosovës të shtrihet edhe në veri.

“Ne po insistojmë që dialogu të jetë pjesë e qeverisjes dhe të mbyllet njëherë e përgjithmonë dhe të ushtrojmë sovranitet të plotë në tërë territorin e vendit. Trendi është që ne kemi një import shumë më të vogël nga Jarinje dhe Bërnjak. Sot në atë fond i kemi 5 milionë dhe progresi i atyre është shumë i vogël. Përfundimisht është një nga çështjet kryesore dialogu në mënyrë që ta shtrijmë sovranitetin në tërë Kosovën. Ne i kemi shkrirë strukturat paralele. Nuk mungon vullneti politik sepse kemi pasur qeveri pas qeverie, por janë çështje politike. Ne jemi të vetëdijshëm që në 4 komunat veriore nuk ushtrojmë sovranitet të plotë. E dimë çështjen e faturave elektrike por edhe të shërbimeve të tjera publike”, ka thënë Bajrami.

Pjesë e debatit të sotëm janë: Fatmir Gashi nga AAK, Hykmete Bajrami nga LDK dhe Elbert Krasniqi nga IRDK, të cilët do të flasin për ‘Zhvillim Ekonomik.

Debati transmetohet në orën 20:20 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra do të mbahet gjatë dhjetë ditëve të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 14 shkurt.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit.