Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hykmete Bajrami i reagon Kurtit: Manipulatorë të shifrave, a të flasim me trende?

Ish-ministrja e Financave, tashmë deputete e Lidhjes Demokratike e Kosovës, Hykmete Bajrami ka reaguar ndaj kryeministrit Albin Kurti, pasi ky i fundit tha se ekonomia e Kosovës për herë të parë ka mbi 400,000 pozicione të regjistruara të fuqisë punëtore aktive.

Sipas Bajramit, postimi i Kurtit “është propagandë dhe manipulim me shifra”, teksa ka kërkuar nga kryeministri publikimin e shifrave të ikjes së qytetarëve nga Kosova që nga fillimi i Qeverisjes Kurti 2.

“Manipulatorë të shifrave, a të flasim me trende, sepse e vërteta është ndryshe nga propoaganda: Me politikat e juaja të punësimit, kompanitë private po i humbin jo vetëm punëtorët por edhe konsumatorët. Publikoni shifrat, sa qytetarë kanë ikur nga Kosova prej që ju keni marrë të gjitha nivelet e pushtetit”- ka shkruar Bajrami.

Bajrami në postimin e saj ka publikuar disa statistika të Administratës Tatimore të Kosovës.

“Dhjetor 2019: 331 811 të punësuar; Dhjetor 2020: 356 909 të punësuar, d.m.th. 25 098 më shumë se në vitin paraprak; Dhjetor 2021: 378 385 të punësuar, d.m.th. 21 476 më shumë se vitin paraprak, ndërsa në korrik 2023 qenkan 404 965 të punësuar, d.m.th. 26 580 më shumë se një vit e gjysmë më parë”- ka shkruar Bajrami.

Ish-ministrja e Financave thotë se trendi i vendeve të punës është rënës.

“Me çka po lavdëroheni? Derisa nga 21-26 mijë vende të reja të punës më herët janë krijuar për një vit, tani për një vit e gjysmë paskemi 26 580 vende të reja të punës më shumë. Trendi është rënës. Kosova vazhdon të jetë nën sakskione, si rezultat i politikave të qeverisë Kurti”- thekson deputetja e LDK-së.

Kryeministri Kurti përmes një postimi në rrjetin social Twitter ka thënë se ekonomia e Kosovës për herë të parë ka mbi 400,000 pozicione të regjistruara të fuqisë punëtore aktive.

Kurti përmes një shkrimi në Twitter ka thënë se ky është tregues i fortë i “suksesit të politikave tona të punës dhe ekonomike”.

https://kallxo.com/lajm/kurti-per-here-te-pare-kemi-mbi-400-mije-te-punesuar-aktiv-fale-politikave-tona/