Tri kandidatet e RTK-së që u refuzuan për pozita menaxheriale përkundër faktit që u vlerësuan me më së shumti pikë në konkurse | Grafika: Diar Vuçetaj/KALLXO.com

Hulumtimi “Televizioni i Burrave të Kosovës” - Rrjeti i Grave të Kosovës i reagon RTK-së

Rrjeti i Grave të Kosovës ka reaguar pas publikimit të hulumtimit ekskluziv të KALLXO.com “Radio Televizioni i Burrave” mbi diskriminimin e tri grave në konkurset për pozitat e menaxhmentit të lartë në Radiotelevizionit Publik.

RrGK në reagimin e tyre kanë mbështetur Ilire Zajmin, Mihrije Beiqin e Flora Durimishin të cilat kanë rrëfyer përvojat e tyre në konkurset e RTK-së.

“Ne duam të mbështesim këto gra dhe të gjitha gratë që kanë synime për pozita vendimmarrëse të qëndrojnë të forta dhe të mos dorëzohen nga presionet që mund të iu behën dhe përmes rrugës ligjore t’i fitojnë të drejtat e tyre”- kanë deklaruar nga Rrjeti i Grave të Kosovës.

“Duke qenë i vetmi medium publik, Radio Televizioni i Kosovës ka edhe përgjegjësi emancipuese dhe duhet të jetë shembull i respektimit të ligjit dhe promovimit të vlerave të barazisë gjinore në shoqërinë kosovare”- vazhdon reagimi i RrGK-së.

RrGK i ka bërë thirrje bordit të Radiotelevizionit të Kosovës “që të jenë të kujdesshëm dhe ta respektojnë legjislacionin vendor e të mos diskriminojnë gratë por të mbështesin dhe të promovojnë ato të cilat edhe pse veprojnë në një ambient të zënë nga burrat, marrin guximin dhe duke u bazuar në profesionalizmin e tyre konkurojnë dhe duan të promovohen në pozitat që i meritojnë”.

KALLXO.com ka publikuar sot hulumtimin mbi tri profesioniste të cilat në procese meritokratike të konkursit u përzgjodhën të merrnin pozicione udhëheqëse në Televizionin Publik(RTK) nuk u lejuan t’i marrin ato pozita. Rrëfimet ekskluzive të tyre tregojnë për prapaskenat, negociatat, thirrjet në zyra e takimet që synuan t’i bindnin ato të tërhiqeshin nga gara. Dëshmitë konfirmojnë se Besnik Boletini e Shkumbin Ahmetxhekaj diskutuan me kandidatet gjatë procesit të rekrutimit dhe vendimarrjes. Përfundimisht, ato që u zgjodhën të parat në konkurset fillestare, nuk u emëruan në pozita të larta menaxhuese në Radio Televizionin e Burrave të Kosovës.

Ilire Zajmi, Udhëheqëse e Qendrës së Aftësimit Profesional, Flora Durmishi, redaktore e kulturës në Radio Kosovë dhe Mihrije Beiqi, menaxhere për legjislacion në RTK rrëfejnë procesin i cili i la jashtë pozicioneve për të cilat u përzgjodhën.

 

Radio Televizioni i Burrave