Hoti: Kosova përfiton shumë nga marrëveshja e Uashingtonit

Kryeministri në detyrë dhe kandidati për kryeministër nga LDK, Avdullah Hoti ka treguar përfitimet e Kosovës pas hyrjes në fuqi të marrëveshje për nxitjen e investimeve ndërmjet ShBA-së dhe Kosovës, e cila ishte në kuadër të marrëveshjes së Uashingtonit.

Hoti përmes një postimi në ‘Facebook’ ka bërë të ditur se Kosova është vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që ka arritur Marrëveshje për Nxitjen e Investimeve me Korporatën e ShBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar Financiar.

“Kosova formalizon edhe një të arritur nga marrëveshja e Uashingtonit, pas marrëveshjes për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin. Kosova është vendi i parë në Ballkanin Perëndimorë me Marrëveshje për Nxitjen e Investimeve (IIA) me DFC-në”, ka shkruar Hoti.

Sipas tij, kjo marrëveshje ia mundëson Korporatës së SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar Financiar (DFC), Bankës për Zhvillim të SHBA-ve, për të sjellë gamën e prodhimeve financiare në Kosovë, që përfshihet financimi i borxhit, investimeve në ekuitet, sigurimi i riskut politik dhe grantet për ndihmë teknike.

“Hyrja në fuqi e kësaj marrëveshje është hap konkret drejt maksimalizimit të efekteve ekonomike të Marrëveshjes së Uashingtonit”, ka thënë në fund Hoti.

Marrëveshja e 4 shtatorit në Uashington, e ndërmjetësuar nga ish-presidenti Donald Trump, për siç është thënë, normalizimin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, parasheh zbatimin e një sërë marrëveshjesh të arritura tashmë, siç është ajo për autostradën mes Kosovës dhe Serbisë, ajo për hekurudhat dhe për linjën ajrore.

Në kuadër të marrëveshjes, një ndër pikat parasheh hartimin e një studim të fizibilitetit me qëllim të përdorimit të përbashkët të Liqenit të Ujmanit, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë. Ky studim i fizibilitetit është thënë se do të bëhet nga Departamenti Amerikan për Energji.

Në marrëveshjen e Uashingtonit, Kosova është zotuar se do të bëhet pjesë e Mini-Shengenit, një nismë kjo për bashkëpunim ekonomik rajonal, që është shpallur nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, vitin e kaluar.

Kosova, po ashtu, sipas marrëveshjes, ka vendosur marrëdhëniet diplomatike me Izraelin, që ditë më parë u mbajt ceremonia në formë virtuale.

(VIDEO) Kosova dhe Izraeli vendosin marrëdhënie diplomatike