Hoti: Jemi para një gare të rëndë, LDK duhet të luajë fuqishëm

Kandidati i LDK-së për kryeministër dhe kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, sot ka mbajtur takim me strukturat e partisë në Suharekë.

Sipas një njoftimi për media, atij iu garantua se e ka mbështetjen e fuqishme të anëtarëve dhe simpatizantëve të LDK-së.

Ndërkaq, Hoti tha se është para një gare të rëndë dhe sipas tij, është momenti që LDK të luajë fuqishëm.

“Jemi para një gare e cila do të jetë bukur e rëndë, prandaj unë besoj se është momenti që edhe LDK të luajë rëndë, fuqishëm, por vetëm në kuptimin e artikulimit të qartë politik që e kemi ne dhe artikulimit të qartë para qytetarëve se kush janë të tjerët, me të cilët zhvillimet politike bënë që një kohë të ishim bashkë”, tha Hoti.

Sipas tij, në këtë garë LDK duhet t’i japë dy mesazhe.

“E para, LDK mbetet në rrugën drejt vendeve perëndimore, ndërsa e dyta, duhet t’u tregojmë njerëzve kush janë njerëzit kundër shtetit të Kosovës”, shtoi ai.

Hoti i ka përgëzuar përfaqësuesit e degës në Suharekë për organizimin e shkëlqyeshëm, madje ka thënë se, shpreson që t’i jepet impuls edhe degëve përreth.

“Jemi në prag të një procesi zgjedhur dhe ju përgëzoj për këtë mobilizim të madh, por nuk është befasi, pasi Suhareka dhe LDK janë sikur një sinonim i njëra-tjetrës”, është shprehur Hoti.

Hoti më tej tha se LDK di si të kalojë cdo situatë, duke përmendur edhe vrasjet.

“Pavarësisht disa fluskave, ne jemi këtu dhe kemi dëshmuar edhe më herët si dimë dhe mund ta kalojmë çdo situatë, madje edhe të tilla si ato me dhunë e me vrasje. Jam i sigurt se do të qëndrojmë edhe tash dhe në zgjedhje do të kemi rezultat shumë të mirë”, ka shtuar kandidati i LDK-së për kryeministër.

Ai ka potencuar se LDK e ka barrën të ruajë vlerën e shtetit, kulturën  civilizuese, pavarësisht se nuk i lejohet të bëjë garë civilizuese.

“Për këtë arsye them se duhet të luajmë fuqishëm dhe t’i japim dy mesazhe: që Kosova nuk lëviz nga orientimi pro-perëndimor, sepse ky shtet është ndërtuar mbi këto vlera dhe e dyta, t’u tregojmë qytetarëve se kush janë këta njerëz, sepse ata nuk janë kundërshtarë tanë politikë, por kundërshtarë të shtetit të Kosovës”, ka theksuar Hoti.

Vendi pritet që më 14 shkurt të shkojë në zgjedhjet parlamentare të parakohshme, pasi që Gjykata Kushtetuese konstatoi se vota e deputetit Etem Arifi pro qeverisë së drejtuar nga LDK ka qenë e pavlefshme.