Hoti i pret sot në takim liderët e partive partive para takimit në Uashington, opozita e bojkoton

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti sot do të pres në takim liderët e parive politike në Kosovë, pas ftesës që u ka bërë një ditë më parë.

Për në orën 11:00, kryeministri i ka ftuar ata për të bashkërenduar qëndrimet para takimit në Washington të ShBA-së, më 27 qëershor me ndërmjetësim të emisarit amerikan për dialgun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

“Me qëllim të bashkërendimit të qëndrimeve të spektrit politik të vendit, në procesin e dialogut me Serbinë, si dhe në vigjilje të vizitës në Uashington, i ftova liderët partiakë për një takim të përbashkët të Forumit të liderëve, i cili do të mbahet nesër në orën 11:00 në Zyrën e Kryeministrit!”, kishte njoftuar Hoti të mërkurën.

Por ftesës së dialogut nuk i janë përgjigjur pozitvisht, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës, tashmë si subjekte politike opozitare.

Zëdhënësi i LVV-së, Arlind Manxhuka ka deklaruar se ftesa për takim as nuk ka pasur nevojë të niset në këtë parti.

“Kjo qeveri është e paligjshme. S’ka as kredibilitet e as legjitimitet. E, ftesa e saj për takim as nuk ka ardhur e as nuk ka pasur nevojë ta nisin”, ka shkruar ai.

Pasditen e djeshme, edhe Shefi i Grupit Parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi ka deklaruar se nuk kanë pse të shkojnë në atë takim.

“Ne nuk kemi pse të shkojmë në ztë zyrë ku është në mënyrë jolegjitime dhe jo legale. Ai duhet të kthehet në institucionin legal dhe legjitim sic është Parlamenti i Kosovës. Para se ai të na pres në zyre të tij e presim ne në seancën e Kuvendit”, është shprehur ai pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Ndërkaq, PDK-ja e ka konsideruar joserioze ftesën e kryeministrit Avdullah Hoti për t’u takuar liderët politikë për të biseduar për qasjen ndaj dialogut Kosovë-Serbi.

Sipas PDK-së, qasja e Hotit është vazhdimësi e qasjes së Qeverisë Kurti.

“Qasja e Kryeministrit Avdullah Hoti, duke dërguar fillimisht ftesa nga rrjetet sociale dhe studiot televizive, nuk është serioze. Kjo është vazhdimësi e ish Qeverisë Kurti. Ftesa e dërguar nga Kryeministri Hoti, në mënyrën si është bërë, pa konsultim paraprak, është veprim i qëllimshëm i dështimit të takimit të nesërm”, thuhet në reagimin e PDK-së.

Kurse, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani pas mbeldhjes së Kryesisë tha se kanë vendosur që kryeministrin Avdullah Hotin ta ftojnë për raportim, përpara nisjes për në Washington, më 27 qershor lidhur me dialogun.

Osmani në një konferencë për media tha se kryeministri do të ftohet që të debatojë dhe raportojë  para deputetëve lidhur me qëndrimet që do t’i mbajë Republika e Kosovës atje.

“Me vendim unanim të anëtarëve present të kryesisë, unë do t’i drejtohem kryeministrit të vendit në mënyrë që ai t’i raportojë Kuvendit para se të niset për Washington, për takimin e datës 27, duke pasur parasysh rëndësinë e çështjes së dialogut dhe rolin mbikqyrës që duhet ta luaj Kuvendi dhe po ashtu detyrimin qe e ka qeveria që t’i raportojë Kuvendit për çështje të politikës së jashtme”, theksoi ajo.