LVV për ftesën e Avdullah Hotit: As mos e nis!

Lëvizja Vetëvendosje nuk ka pranuar ende ndonjë ftesë për takimin e thirrur nga kryeministri i vendit Avdullah Hoti për bashkërendim të qëndrimeve sa i përket dialogut me Serbinë.

Kështu ka bërë të ditur për KALLXO.com, zëdhënësi i LVV-së, Arlind Manxhuka.

Ndërkaq, pëmes një publikimi në Facebook, Manxhuka ka shkruar se ftesa për takim as nuk ka pasur nevojë të niset në LVV.

“Kjo qeveri është e paligjshme. S’ka as kredibilitet e as legjitimitet. E, ftesa e saj për takim as nuk ka ardhur e as nuk ka pasur nevojë ta nisin”, ka shkruar ai.

Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti ka thirrur në takim nesër në ora 11:00 liderët partiak për bashkërendimin e qëndrimeve për procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

“Me qëllim të bashkërendimit të qëndrimeve të spektrit politik të vendit, në procesin e dialogut me Serbinë, si dhe në vigjilje të vizitës në Ëashington, i ftova liderët partiakë për një takim të përbashkët të Forumit të liderëve, i cili do të mbahet nesër në orën 11:00 në Zyrën e Kryeministrit”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka deklaruar se nuk kanë pse të shkojnë në atë takim.

“Ne nuk kemi pse të shkojmë në ztë zyrë ku është në mënyrë jolegjitime dhe jo legale. Ai duhet të kthehet në institucionin legal dhe legjitim sic është Parlamenti i Kosovës. Para se ai të na pres në zyre të tij e presim ne në seancën e Kuvendit”, është shprehur ai pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Kurse, emisari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak në ditën e dytë të vizitës së tij në Kosovë, ka bërë të ditur se ka takuar kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Lajçak pas takimit, në Twitter ka shkruar se ka theksuar nevojën për një zë unik të Kosovës në procesin e negociatave.

Lajçak takon Albin Kurtin: Kosova të flasë me një zë në dialog