Historike - Presidenti Thaçi vendos maskën

Për dallim nga dje, ku bëri vizitë në Prizren pa maskë të vendosur, presidenti i vendit Hashim Thaçi sot ka vendosur maskën si masë mbrojtëse ndaj pandemisë COVID-19.

Gjatë një vizitë në familjen e komandantit Mujë Krasniqi, Thaçi në fotografinë e publikuar në facebook shihet të ketë vendosur maskën.

“Sot në familjen e komandantit Mujë Krasniqi në Klinë. Në anën time të djathtë, babai i Mujës dhe Aliut, axha Halil. Ndërsa, në anën time të majtë, Shpëtimi, ushtar i Kosovës dhe djalë i bashkëluftëtarit Beqir Gashi. Kënga dhe pushkët e Mujës dhe Beqës nuk u ndalën asnjëherë deri sa ranë heroikisht për lirinë e popullit tonë. Krenar me prindërit dhe fëmijët e heronjve të kombit”, ka shkruar Thaçi.

Dje presidenti i vendit, Hashim Thaçi postuar fotografi duke pirë çaj me disa të burra të shtyerë në moshë, në Prizren. Vetëm kreu i shtetit nuk ka vendosur maskë, krahas asaj që as distanca nuk është në përmasat e kërkuar.

Edhe sot në takimin më koordinatorin nacional Skënder Hysenin, as presidenti Thaçi e as Hyseni nuk respektuan thirrjen e institucioneve për vendosjen e maskës si masë mbrojtëse ndaj pandemisë COVID-19.

Ndërkaq sot në Kosovë është shënuar një numër i madh i rasteve të reja me COVID-19, ku Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se sot nga 404 mostra të marra, 276 prej tyre kanë rezultuar pozitive.

IKSHP-ja ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit në vend kanë vdekur tetë persona të infektuar me coronavirus duke shkuar në 185 numri i vdekjeve në vend, të cilët kanë pasur edhe  sëmundje të tjera shoqëruese.

Ndërsa janë shëruar 153 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 4,027 raste, kurse numri i rasteve aktive është 3,201.