Historia penale e Andi Pajazitit, të dyshuarit për vrasjen në 'Bon Vivant'

Andi Pajaziti është duke u trajtuar tash e disa ditë në Klinikën e Ortopedisë pasi u plagos në ngjarjen e rëndë që ndodhi të premten e javës së kaluar në lokalin “Bon Vivant” në qendër të Prishtinës.

Pajazitit i është caktuar masa e paraburgimit nga Gjykata në Prishtinë nën dyshimin se ka kryer disa vepra penale, fillimisht atë të vrasjes së rëndë, përdorimit të armës, mbajtjes në pronësi apo posedim të armës dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.

Pajaziti dyshohet se privoi nga jeta Kastriot Ramadanin, i cili fillimisht mbeti i plagosur në lokalin “Bon Vivant” ndërsa disa orë më vonë i njëjti vdiq pas plagëve të marra në pjesën abdominale të trupit.

Pajaziti është i njohur për drejtësinë në Kosovë për vepra të ndryshme penale. Ndaj tij në Gjykatën e Prishtinës ekzistojnë disa dosje për vepra të ngjashme me atë që dyshohet se kreu në orët e vona të 11 gushtit.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës në Prishtinë, ka thënë se aktualisht janë tri aktakuza aktive për Pajazitin, por që nuk ka ende vendime gjyqësore.

Një nga rastet është në Departamentin e Krimeve të Rënda, e datës 4 gusht 2020, kur prokuroria kishte dorëzuar aktakuzën për Pajazitin për veprën penale pjesëmarrje në rrahje.

Në këtë çështje penale në procedurë gjyqësore përveç Pajazitit janë edhe shtatë të pandehur të tjerë ndërsa deri më tani ende nuk ka vendim të formës së prerë për këtë çështje.

Dy aktakuza ndaj Pajazitit janë në gjykatë më saktësisht në Divizionin Penal, një e datës 17 shtator 2019 dhe një tjetër e 24 qershorit 2021.

Me datë 17 shtator 2019, Gjykata në Prishtinë kishte pranuar aktakuzën nga Prokuroria Themelore në Prishtnë  për Andi Pajazitin,  për veprën penale në bashkëkryerje ku akuzohen se kanë kryer veprën penale Lëndim i lehtë trupor dhe Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm.

Edhe kjo lëndë ende nuk ka epilog përfundimtar.

Më datë 24 qershor 2021 nga prokuroria Gjykata kishte pranuar aktakuzë me kërkesë për shqiptimin e urdhrit ndëshkimor nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për të pandehurin Andi Pajaziti për veprën penale të kanosjes dhe për të njëjtën ende nuk ka vendim gjyqësor.

Në anën tjetër Gashi në përgjigjen për KALLXO.com ka konfirmuar se ndaj Andi Pajazitit janë katër raste të përfunduara. Tri dënime janë më gjobë për çka edhe ka nisur procedura e ekzekutimit.

Çka ndodhi në Bon Vivant?

Në orët e vona të mbrëmjes së 4 gushtit policia kishte pranuar një informacion për të shtëna me armë në një nga lokalet në qendër të Prishtinës, më saktësisht në “Bon Vivant”.

Ekipe të shumta policore kishin rrethuar perimetrin e lokalit ndërsa njoftuan zyrtarisht se nga të shtënat me armë kishte të plagosur e të lënduar.

Të lënduarit morën plagë kryesisht nga thyerjet e shisheve e xhamave pas përleshjes që nisi në “Bon Vivant”.

Dosja e Prokurorisë në Prishtinë e siguruar nga KALLXO.com tregon momentin kritik që çoi deri në fillimisht plagosje e më pas vrasjen e Kastriot Ramadanit.

Sipas dosjes, Andi Pajaziti, Gëzim Zakuti, Dukagjin Nikollaj dhe tashmë i ndjeri Kastriot Ramadani së bashku me një person ende të paidentifikuar rreth orës 23:17 të 4 gushtit gjendeshin në lokalin “Bon Vivant”.

Sipas Prokurorisë, në afërsi të tavolinës ku ishin duke qëndruar Dukagjin Nikollaj e Kastriot Ramadani si dhe një person tjetër, i cili ende nuk është identifikuar, pranë tyre, duke qëndruar në këmbë, ishin afruar Andi Pajaziti dhe Gëzim Zakuti.

Dosja e Prokurorisë shpjegon momentin kur palët nxorën armët e zjarrit dhe filluan të gjuajnë në njëri-tjetrin.

Fillimisht Kastriot Ramadani me të vërejtur se në lokal kishin hyrë Andi Pajaziti e Gëzim Zakuti nxjerr armën e zjarrit nga brezi, e njëjtë kishte vepruar edhe Dukagjin Nikollaj, i cili nxjerr armën nga një çantë që e mbante me vete, ku për një moment fillojnë të përleshen fizikisht Pajaziti me të pandehurin Nikollaj.

Tutje, sipas dosjes së Prokurorisë, Kastriot Ramadani më një shishe qelqi godet në kokë disa herë të pandehurin Andi Pajaziti, e ky i fundit me armë zjarri shkrep në drejtim të Kastriot Ramadanit. Edhe Kastriot Ramadani kundërpërgjigjet më armë të zjarrit, por nuk është i vetmi, pasi që edhe Nikollaj gjuan me armë zjarri në drejtim të Pajazitit.

Veprime këto që sipas Prokurorisë kanë rrezikuar jetën edhe të personave të tjerë të cilët kishin pësuar lëndime trupore nga predhat e armëve të zjarrit.

Të plagosur të tjerë kishin mbetur edhe Andi Pajazi e Hisni Gecaj ndërsa plagëve të armës së zjarrit nuk kishte arritur t’u mbijetonte Kastriot Ramadani, i cili edhe kishte ndërruar jetë në QKUK.

Gecaj në përshikrimin e dosjes të Prokurorisë rezulton të jetë pjesëtar i FSK-së.

Gecaj në tërë këtë ngjarje kishte mbajtur në posedim një thike duke veprar në kundërshtim me ligjin.

13 persona sipas Prokurorisë ishin lënduar nga gotat e thyera të qelqit gjatë përpjekjes për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.

Andi Pajaziti sipas Prokurorisë po dyshohet se ka kryer veprën penale – vrasje e rëndë.

Vepër penale e cila sipas Kodit Penal të Kosovës është e dënueshme me jo më pak se 10 vite dënim me burgim ose me dënim me burgim të përjetshëm.

Pajaziti sipas Prokurorisë dyshohet edhe për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.

Në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit Pajaziti del të jetë recidivist i shumë veprave penale.

Për veprën penale vrasje e rëndë  në tentativë dyshohet Dukagjin Nikollaj, i cili sipas Prokurorisë në kohën e kryerjes së veprës penale gjendej në arrati. I njëjti dyshohet edhe për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm dhe veprën penalë shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.

Hisni Gecaj e Gëzim Zakuti dyshohen për veprën penale – pjesëmarrje në rrahje.