Historia e policit në Thumanë, thirret në operacion për të shpëtuar nënën e tij

Rreth 1,900 forca policore të Shqipërisë janë të angazhuara në terren, për t’ju ardhur në ndihmë banorëve të prekur nga tërmeti.

Por një prej tyre ka mbërritur pikërisht në pallatin ku jetonte nëna e tij, në Thumanë.

Sipas Top Channel, polici, i cili mban edhe një shall jeshil, është përfshirë intensivisht për të nxjerrë nga rrënojat nënën e tij dhe banorët e tjerë të bllokuar.
Në Thumanë numërohen deri më tani 5 viktima nga tërmeti, ndërkohë që në total janë 13 persona që kanë humbur jetën si pasojë e shembjeve të godinave në Durrës dhe Kurbin.

Mëngjesin e sotëm Shqipëria është goditur nga disa tërmete, të cilat janë ndier edhe në Kosovë dhe më gjerë.

Si pasojë e tërmetit të fuqishëm që goditi Shqipërinë, raportohet se numri i viktimave ka shkuar në 13.

Liderë të institucioneve të Kosovës kanë shprehur gatishmërinë për t’i dalë në ndihmë shtetit shqiptar, përderisa pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), janë nisur për në zonat e prekura nga tërmetet.