Ilustrim - Parakalimi i Policisë së Kosovës | Foto: KALLXO.com

Historia e grevave të Njësisë Speciale Intervenuese, kush janë ky njësit?

Njësia Speciale Intervenuese e njohur si FIT e cila ishte është themeluar në vitin 2007 në Policinë e Kosovës, ka paralajmëruar një protestë të cilën do ta zhvilloj para objektit të Qeverisë së Kosovës më 1 nëntor 2023.

KALLXO.com ka mësuar se kërkesat e NJSI-së përfshijnë rritje të pagës në koeficient; rrezikshmëria të jetë e përcaktuar në përqindje e jo në shumë fikse; Ligji i pensionimit të parakohshëm dhe sigurimeve shëndetësore dhe kushtet e punës në përgjithësi.

Ndonëse ky njësit nuk është i qasur në Sindikatën e Policisë së Kosovës aktualisht, edhe në të kaluarën nuk ka pasur ndonjë pjesëtar të saj të inkuadruar në këtë sindikatë.

Të njëjtit kanë ndërmarrë veprime vet, andaj edhe janë të vetmit deri më tani që publikisht kanë bërë thirrje për protestë.

Sindikata e Policisë së Kosovës ka thënë se afër 6 mijë zyrtarë të Policisë së Kosovës janë të pakënaqur me disa prej kushteve të punës që ata kanë.

Kjo sindikatë tha kështu javën e kaluar e të cilët tutje kanë shtuar se kanë dorëzuar një peticion në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione.

Për dallim nga viti 2010, kur njësitë speciale përmes grevave dhe protestave kishin kërkuar rritje të pagave bazë për 100 euro por edhe kontrata të përhershme në Policinë e Kosovë, kësaj radhe ata që kanë paralajmëruar protestë janë vetëm Njësia Speciale Intervenuese.

Burime brenda kësaj njësie kanë thënë se pakënaqësitë janë të mëdha, përderisa shtojnë se nuk mund të pranojnë që me pagë të trajtohen njëjtë si njësitet tjera sepse sipas tyre, sipas procedurave standarde të operimit janë njësi e veçantë si për nga trajnimet po edhe nga detyrat.

Protesta në atë kohë e policëve të njësive të ndryshme policore kishte rezultuar me rritje të pagave.

Ish-kryeministri Hashim Thaçi në atë kohë ishte dorëzuar para kërkesave për rritje të pagave nga ana e policëve të Kosovës.

Në vitin 2010 policët përfshirë edhe njësinë elite FIT kishin marrë shtesa nga 100 euro.

Më pas në vitin 2014 sërish në kohën e ish-kryeministrit Thaçi pati rritje të pagave për policët.

“Më lejoni të them se jam krenar edhe me rritjen e rrogave që kemi zbatuar për Policinë e Kosovës. Vashat dhe djemtë me uniformën e kaltër që kanë dhënë betimin të na sigurojnë dhe të na ruajnë fëmijët tanë, kanë përfituar po ashtu 25% rritje apo gjithsej 139% gjatë qeverisjes sime”- kishte thënë në atë kohë ish-kryeministri Thaçi.

Para se të paralajmëronin protestën, Njësia Speciale Intervenuese (NJSI) e njohur edhe si FIT për shkak të intervenimit të shpejtë por edhe karakteristikave të ndërhyrjeve të tyre në raste ku rrezikshmëria është e lartë, ndërmori një veprim tjetër të cilin e konsideroi si njoftim paraprak për qeverinë nëse nuk u aprovohen kërkesat.

Ky njësit fillimisht në shenjë bojkoti për trajtim jo të dinjitetshëm e mos përmbushje të kërkesave të tyre, nuk mori pjesë në “Darkën e Lamës” e cila u organizua nga Zyra e Presidentes Vjosa Osmani në kampin e njësive speciale “Enver Zymeri” në Mitrovicën e Jugut.

Disa nga këta pjesëtarë të FIT-it që ishin edhe pjesë e aksionit policor që morën kontrollin në Banjskë të Zveçanit, nuk kishin pranuar që të ulen në tavolinën e “Darkës së Lamës” që u shtrua më 18 tetor 2023.

Elitarët e Policisë, sipas burimeve të KALLXO.com, nuk kanë marrë pjesë në shenjë proteste për kushtet e punës.

“Nuk kemi qenë pjesë, kemi kërkesa të cilat i kemi adresuar”- kishte thënë njëri nga pjesëtarët e Njësisë i intervistuar nga KALLXO.com.

Vetëm pak ditë pas këtij bojkoti, Njësia Speciale Intervenuese me kërkesat e tyre prisnin reflektim të Qeverisë së Kosovës.

Më 27 tetor, Qeveria e Kosovës ka propozuar shtesat për pagesat e rrezikshmërisë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se në këtë propozim përfshihet gjithsej shtatë kategori të policëve që janë subjekt i shtesave të rrezikshmërisë.

“Shtesat për njësitë elitare, Njësia Speciale Intervenuese, Njësia për Ndërhyrje të Shpejtë dhe Njësia për Mbrojtje të afërt janë nga 150 euro shtesë të pagës bazë, 120 për njësitë operative K9 dhe Njësia për eksplozivët dhe deminim, pjesëtarët e patrullave kufitare do të përfitojnë nga 100 euro në muaj, ndërsa pjesëtarët e hetuesisë nga 75 euro shtesë në muaj. Ekipet reaguese dhe patrullat që njeherit përbejnë numrin me të madh të Policisë do të marrin ka 60 euro shtesë kurse Policëve që angazhohen për sigurimin e objekteve dhe ata në menaxhim të operacioneve do të ju ndahen nga 50 dhe respektivisht 45 euro shtesë të rrezikshmërisë”- ka bërë të ditur Kurti.

Pra kjo njësi sipas propozimit të Kurtit hynte në kategorinë e parë, atë për shtesa të pagës bazë në vlerë prej 150 euro.

Vetëm pak orë pas këtij njoftimi që bëri publik Kurti, erdhi reagimi i NJSI-së të cilët paralajmëruan protestë më 1 nëntor.

Njësia Speciale Intervenuese (NJSI/FIT) hynë në kategorinë e njësive elite të Policisë së Kosovës. U themelua në vitin 2007 ndërsa morën pjesë në operacione të shumta të cilat u shënuan përgjatë këtyre viteve që nga themelimi i saj.

Duke nisur nga ajo e fundit, sulmi terrorist në Banjskë të Komunës së Zveçanit, pjesëtarë të këtij njësiti ishin thirrur që të merrnin kontrollin në zonë për shkak të përgatitjeve të tyre dhe pozicionin që mbanin në kategorinë e njësive speciale.

Dy pjesëtarë të këtij njësiti janë lënduar gjatë aksionit kundërsulmues në Banjskë me grupin terrorist.

Një tjetër ngjarje të cilën e udhëhoqi FIT-i ishte edhe arrestimet që ndodhën në veri të vendit në muajt e fundit. Ai që bëri bujë të madhë në veri të vendit ishte, arrestimi i Millun Millenkoviq i njohur si “Llune”.

Raportet zyrtare të institucioneve në Kosovë e përshkruajnë Llunen si një nga drejtuesit e “Mbrojtjes Civile” dhe zëvendës komandant të “Brigadës së Veriut. Të dy këto organizata cilësohen terroriste në Kosovë me vendim të Qeverisë së Kosovës.

Njësia FIT kishte marrë pjesë edhe në arrestimin e ish-shefit i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq në vitin 2018, kur atij i ishte ndaluar hyrja në Kosovë por që nuk e kishte përfillur këtë urdhër dhe kishte marrë pjesë në një takim në Mitrovicën e Veriut.

Ai u arrestua në një sallë takimesh në Mitrovicë të Veriut për t`u dërguar më pas në stacionin policor në Prishtinë.

Njësia Speciale Intervenuese shumë pak shihet publikisht se kush është pjesëtar i saj. Kjo për shkak se të njëjtit vazhdimisht shihen të maskuar ndërsa posedojnë edhe armë të rënda.