Hidhet mjet shpërthyes afër ekipit të RTV Dukagjini në veri

Një mjet shpërthyes është hedhur shumë afër ekipit të gazetarëve të RTV Dukagjini, i cili po raportonte drejtpërdrejt nga veriu i Kosovës.

Në pamjet që i ka publikuar RTV Dukagjini shihet kameramani duke i thirrur koleges Doruntina Bylykbashi që largohej me shpejtësi pasi prapa saj ishte hedhur një mjet shpërthyes.

Siç njofton RTV Dukagjini, ekipi ka qenë në Rudarë, në vendin ku serbët lokalë e kanë bllokuar rrugën pas njoftimit se Policia e Kosovës ka arrestuar Dejan Pantiqin, ish-polic i Kosovës, nën dyshimin se ka marrë pjesë në organizimin e akteve terroriste, saktësisht për sulmin me granata dore dhe armë zjarri kundër zyrtarëve të KQZ-së dhe Policisë në veri të vendit.

Sulmi ndaj ekipit të gazetarëve të Dukagjinit ndodh një ditë pas sulmit nga një grup serbësh kundër ekipit të KALLXO.com në Mitrovicën e Veriut.

Këto janë pamjet nga momenti i shpërthimit të mjetit shpërthyes afër ekipit të RTV Dukagjini.