Dy hetuesit e Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës, Lavdim Osmani dhe Lutfi Menxhiqi në Gjykatë - 30.12.2020 - FOTO: Elona Sejdullahu - KALLXO

Hetuesit e Krimeve Ekonomike Lavdim Osmani e Lutfi Menxhiqi në bankën e të akuzuarve për marrje ryshfeti

Dy hetuesit e Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës, Lavdim Osmani dhe Lutfi Menxhiqi, të akuzuar nga Prokuroria për marrje të ryshfetit, janë ulur sërish sot në bankën e të akuzuarve.

Në seancën e sotme, mbrojtja e të akuzuarit Lavdim Osmani, avokati Sokol Mushkolaj dhe mbrojtja e të akuzuarit Lutfi Menxhiqi, avokati Skender Musa, deklaruan se mbeten në tërësi të kërkesës së bërë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimit të provave në aktakuzë.

“Qëndroj pranë kërkesës për hudhjen e aktakuzës. Akuza e Prokurorisë së shtetit i ka 5 dispozitiva, me përjashtim të pikës për armëmbajtje pa leje, të gjitha pikat e saj bazohen në të njëjtat prova dhe për mendimin tim kanë mundur të inkorporohen në një vepër penale”, deklaroi avokati Musa.

“Gjithashtu propozoj të ndërprehet masa e arrestit shtëpiak, pasi s`ka asnjë arsye që të mbetet në fuqi kjo masë pas kësaj seance, pasi gjitha provat i kemi dhe s`ka asnjë rrezik që ndikohet në dëshmitarë për shkak se dëshmitarët janë të inçizuar me kamerë gjatë përballjes, kurse provat tjera iu janë dorëzuar palëve dhe janë të ditura”, shtoi ai.

“I bashkëngjitem, kolegut Skender Musa për propozimin për ndërprerjen e masës së arrestit shtëpiak, duke elaboruar të gjitha të cekurat e tij, për të mos përsëritur ato çka tha ai më lartë”, shtoi avokati Mushkolaj.

Ndërsa prokurori i rasti, Rafet Halimi kundërshtoi kërkesat e avokatëve për hudhjen e aktakuzës.

“Prokuroria ka shqyrtuar dhe analizuar të gjitha kundërshtimet nga mbrojtja për hudhjen e aktakuzës, por mbrojtja nuk ka ofruar asnjë provë që do ta rrëzojë këtë aktakuzë”, tha ai.

Ndërsa për propozimin e bërë nga mbrojtja, për ndërprerjen e masës së arrestit shtëpiak për dy të akuzuarit tha se nuk  ka ndonjë arsye të veçantë për vazhdimin e kësaj mase dhe propozoi që të vendosë gjykata lidhur me këtë masë.

Gjykata aprovoi kërkesën e mbrojtësve për ndërprerjen e masës së arrestit shtëpiak, për dy të akuzuarit.

Seanca e radhës u caktua për datën, 15 shkurt në ora 9:30.

Aktakuza

Sipas aktakuzës Lavdim Osmani dhe Lutfi Menxhiqi, në fillim të muajit nëntor 2019, në Prishtinë, afër Gjykatës Kushtetuese, në cilësinë e personave zyrtarë – hetues në Drejtorinë e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, në mënyrë të drejtpërdrejtë kishin pranuar ryshfet që të  mos veprojnë sipas detyrës zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit paraprakisht janë takuar në një kafiteri me D. H dhe kanë arritur marrëveshje që në këmbim të ryshfetit mos të ndërmarrin veprime për luftimin e lojërave të fatit.

Sipas aktakuzës të njëjtit sapo kishin nga kafiteria kanë shkuar afër Gjykatës Kushtetuese, janë takuar me Driton Berishën dhe nga ai kanë pranuar ryshfet në vlerë 1,500 euro, në prezencë të D. H, me ç’rast së bashku kanë arritur marrëveshje që të akuzuarit nuk do të ndërmarrin veprime hetimore ndaj lojërave të fatit dhe kanë premtuar bashkëpunim të kundërligjshëm në të ardhmen, në këmbim të marrjes së ryshfetit, edhe pse kanë qenë në dijeni se lojërat e fatit kanë qenë të ndaluara me ligj.

 

Sipas aktakuzës, ky ryshfet ndahet në mes të akuzuarve në dy pjesë nga 1,250 euro dhe 500 euro ia dërgojnë kolegut të tyre Faton Zabergja për një rast tragjik që i kishte ndodhur.

Për këto veprime akuzohen për veprën penale të kryer në bashkëkryerje “marrje ryshfeti”.

Sipas aktit akuzues, Lavdim Osmani më 9 janar 2020, rreth orës 18:00, në Prishtinë, në rrugën C, në cilësinë e personit zyrtar – hetues në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, pranon ryshfet që mos veprojë, në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare, në atë mënyrë që paraprakisht dëshmitari Mentor Maqani, në një restorant në rrugën Prishtinë Lipjan, ia dorëzon dëshmitarit bashkëpunues D. H, paratë në vlerë prej 3,000 euro, ky i fundit niset me veturë menjëherë dhe vazhdon për në Prishtinë, lagje Mati 1, në rrugën C, ku i pandehuri ishte duke e pritur, hynë në veturë dhe nga D. H i merr paratë në vlerë prej 3,000 euro.

Me këtë akuzohet se ka kryer veprën penale “marrje ryshfeti”.

Tutje, me 5 shkurt 2020, Lavdim Osmani akuzohet se rreth orës 17:30, në Prishtinë, në rrugën C, Mati 1, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka pranuar ryshfet që mos të veprojë, në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare, në atë mënyrë që nën masat e simulimit të  veprës penale të korrupsionit, paraprakisht dëshmitari Mentor Maqani ia dorëzon paratë prej 3,000 euro D. H, pastaj ky i fundit niset menjëherë dhe gjatë rrugës një pjesë të kartëmonedhave i ndërron, ndërsa një pjesë të parave në vlerë prej 1,300 euro ia dorëzon të pandehurit Lavdim Osmani dhe të tjerat i ndal për vete, e pasi i pandehuri Lavdim Osmani del nga vetura menjëherë arrestohet nga Inspektorati Policor i Kosovës dhe në xhepin e tij gjenden paratë të cilat ishin nën masën e simulimit.

Për këtë akuzohet se ka kryer veprën penale “marrje ryshfeti”.

Sipas aktakuzës, Lutfi Menxhiqi akuzohet se më 4 dhjetor 2019 ka keqpërdorur detyrën apo autoritetin zyrtar, ashtu që pasi ishin marr vesh paraprakisht në një takim në fillim të muajit nëntor 2019 në Prishtinë, në një kafiteri, me dëshmitarin Driton Berishën dhe D. H, për t’i njoftuar për aksionet e policisë, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare i dërgon informata dëshmitarin bashkëpunues D. H me qëllim që të përfitojë dobi pasurore.

Në aktakuzë thuhet se e ka bërë në atë mënyrë që me 4 dhjetor 2019, D. H e thërret në telefon të pandehurin dhe i kërkon informata nëse ka filluar ndonjë kontroll nga policia ndaj lojërave të fatit, vetëm pas pak kohës në orën 21:23, i pandehuri nga telefoni i tij personal, përmes rrjetit “Viber”, i dërgon mesazh D. H duke e njoftuar se policia ka filluar kontrollin në Fushë Kosovë duke i shkruar: “D. H po dal vet, po kqyri se sot i fushë Kosovës pom doket paska hi s`iu kishin dhanë kompetencë edhe stacioneve mo me hi në do raste tani i dorëzojnë te na, po unë po nisna menjëherë po kqyri çka ka”, e krejt kjo edhe pse i pandehuri e dinte se lojërat e fatit ishin të ndalura me ligj.

Për këtë akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Tutje në aktakuzë thuhet se Menxhiqi, me 5 shkurt 2020, në orën 22:40, në fshatin Stanoc i Poshtëm, Komuna e Vushtrrisë,  në shtëpinë e tij ka mbajtur në pronësi, kontroll dhe posedim të paautorizuar armë në shkelje të ligjit të zbatueshëm, në atë mënyrë që gjatë kontrollit sipas urdhër kontrollit të Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda dhe zbatuar nga Inspektorati Policor i Kosovës, te i pandehuri janë gjetur armë automatike të zjarrit, 2 pushkë automatike AK-47, numër serik 0462-89 dhe numër serik 85NU2414, me dy karikatorë dhe të gjitha janë konfiskuar nga Inspektorati Policor i Kosovës.

Për këtë akuzohet për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Gjykata mori aktvendim, ku aprovohet pranimi i fajësisë për të akuzuarin Lutfi Menxhiqi për veprën penale të përshkruar në pikën 6 të dispozitivit të aktakuzës, që ka të bëjë me veprën penale, Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 i KPRK. Ndërsa u refuzua kërkesa e mbrojtësve për ndërprerjen e arrestit shtëpiak në këtë fazë të procedurës, por kjo mbeti të shqyrtohet jashtë shqyrtimit, çoftë atij gjyqësor, të dytë apo pas mbajtjes së arrestit shtëpiak.