Refuzohet kërkesa e Prokurorisë për paraburgim për zyrtarët e ATK-së
Gjykata e Prishtinës ka refuzuar sot kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit për 12 zyrtarët e ATK-së, të arrestuar nën dyshimin për mashtrim në detyrë.
Gjykatësi Avni Syla mori vendim që të dyshuarëve t’u shqiptohet një masë më e butë, ajo e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar.
Sipas kësaj mase, atyre u ndalohet qasja dhe afrimi në objektin e institucionit qendror të ATK-së, duke përfshirë edhe të gjitha regjionet e saj në largësi prej 500 metrash.
Zyrtarëve gjithashtu u ndalohet edhe kontakti me të dyshuarin Feim Pulaj dhe bizneseve të tij, dhe afrimi deri në 500 metra.
Nëse ata nuk i zbatojnë këto obligime, ndaj tyre caktohet paraburgimi.
Masar Zejnullahu, Nesim Bajrami, Safet Temaj, Avdi Jakupi, Muhamet Rafuna, Murtez Zeqiri, Milaim Berisha, Gazmend Gjocaj, Adil Paqarizi, Vllaznim Krasniqi, Agim Rama e Xhemajl Hertica janë zyrtarët e ATK-së të arrestuar nën dyshimin për mashtrim në detyrë.
Prokuroria e Prishtinës për të njejtit kishte kërkuar masën e paraburgimit.
Këta zyrtarë dyshohet se kishin pranuar 23 fatura fiktive nga F.P., një biznesmen nga Prizreni, i cili kishte aplikuar për rimbursim të TVSH-së.
Arrestimi i tyre u bë gjatë një aksioni të Prokurorisë së Prishtinës dhe hetuesve të Drejtorisë së Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës.
Në një njoftim të Prokurorisë së Prishtinës thuhej se në total 13 persona janë arrestuar gjatë aksionit, prej tyre 12 zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovës e një pronar biznesi.
Përveç tyre, dy pronarë të një biznesi në Podujevë janë duke u kërkuar nga organet e ndjekjes.
Ata po dyshohet se janë të përfshirë në rastin e mashtrimeve me fatura fiktive në këtë rast.
B.B. dhe B.B. në bazë të njoftimit zyrtar të Prokurorisë së Prishtinës dyshohen se kanë kryer veprat penale të shmangies nga tatimi dhe prezantim i dokumenteve të rrejshme lidhur me tatimin.