Hekuran Murati: Kosova bëhet shteti me nivelin më të ulët të borxhit shtetëror në Evropë

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se Kosova është bërë shteti me nivelin më të ulët të borxhit shtetëror në Evropë.

Sipas tij, falë disiplinës fiskale e menaxhimit të parasë publike, është arritur që të ndryshohet trendi i borxhit shtetëror, duke u kthyer sërish në nivele të para pandemisë.

“ Një konsolidim i tillë është vlerësuar lart edhe nga institucionet ndërkombëtare. Ky konsolidim së pari e mban nën kontroll koston e kamatave, sepse sa më pak borxh aq më pak pagesë e kamatave, dhe së dyti na mundëson kushte më të favorshme financimi për huamarrjet e reja në krahasim me të tjerët, sepse kemi dëshmuar qëndrueshmëri dhe mirëshpenzim të parasë publike” – ka shkruar ministri Murati.