Foto: Arkiv

Haziri: Është koha që Vjosa të kthehet në LDK

Kandidati për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri në ditën kur zyrtarizoi kandidaturën e tij, tha se ish-bashkëpartiakja e tij, Vjosa Osmani duhet të kthehet në këtë parti.

Haziri ka theksuar se Osmanin kurrë se ka parë jashtë LDK-së.

“Vjosa Osmanin kurrë se kam parë jashtë LDK-së, ka qenë vullnet i saj dhe nuk ka mundur askush ta ndaloj politikisht…Besoj që ka ardhë koha me pajtu dhe me u pajtu dhe me u kthy në LDK dhe më dhënë kontributin e vet”, tha Haziri në një konferencë për media mbajtur në Gjilan.

Osmani ishte nënkryetare e LDK-së deri në momentin që kjo parti e shkarkoi nga të gjitha pozitat udhëheqëse, pasi ajo kundërshtoi rrëzimin e Qeverisë Kurti.

Tashmë, Osmani ka krijuar iniciativën e saj politike dhe në zgjedhjet e 14 shkurtit ka garuar së bashku me një listë me Lëvizjen Vetëvendosje.