Albulena Haxhiu në konferencën përmbyllëse për vitin 2022. FOTO: KALLXO.com

Haxhiu: Në vitin 2023 reformat që i kemi nisur nga marsi i vitit 2021 do të fillojnë të jetësohen

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka mbajtur konferencën përmbyllëse për vitin 2022.

Haxhiu para mediave tha se viti 2022 ka qenë vit me angazhime të mëdha e sfida të shumta por edhe shumë të arritura.

“Them me besim të plotë se po e mbyllim suksesshëm sepse kemi punuar sipas planit të dinamikës së paraparë drejt jetësimit të plotë të zotimeve që kemi dhënë para qytetarëve”- ka deklaruar ajo.

Sipas Haxhiut, prioritetet e kësaj qeverie kanë qenë të njohura që nga fillimi i mandatit të tyre qeverisës.

“Reforma në drejtësi, drejtësia penale, sikurse edhe ajo civile, lufta kundër korrupsionit, adresimi i dhunës në familje dhe me baza gjinore dhe adresimi i krimeve të luftës mbeten çështje për të cilat jemi angazhuar edhe këtë vit” – tha ministrja teksa theksoi se vettingu në sistemin e drejtësisë ka qenë kryefjala e zotimeve të tyre.

“Kryefjala e këtij viti sa i përket zotimeve tona ka qenë vettingu në sistemin e drejtësisë sepse qytetarët e Kosovës po e presin me padurim përmbylljen e reformës në drejtësi dhe ky mekanizëm do e mundësojë edhe kthimin e besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë” – shtoi ajo.

Në mesin e sukseseve Haxhiu ka përmendur edhe se gjatë vitit kanë dorëzuar në qeveri 17 projektligje, një strategji dhe dy nisma për lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare.

Po ashtu, ajo përmendi edhe disa nga projektligjet e miratuara.

“Kemi miratuar projektligje si ai për Këshillin Prokurorial të Kosovës që është një reformë e madhe në sistemin e drejtësisë, për prokurorinë speciale, për prokurorin e shtetit dhe se e përbashkëta e gjithë këtyre do të rezultojë me ngritjen e pavarësisë së sistemit prokurorial dhe rritjen e transparencës së llogaridhënies dhe rezultateve në sistemin e drejtësisë. Një nga reformat më të mëdha që kemi arritur gjatë këtij viti është ligji për Këshillin Prokurorial” – u shpreh ministrja.

Haxhiu foli edhe për prioritetet e kësaj ministrie përgjatë vitit 2023 teksa tha se prioritetet e tyre ndërlidhen me reformën në drejtësi, dhe se përmbyllja e kësaj reforme është jashtëzakonisht e rëndësishme për ministrinë e drejtësisë.

“Po ashtu, presim aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për reformën e madhe që kemi bërë në Këshillin Prokurorial të Kosovës. Gjithashtu, funksionalizimi i një institucioni siç është byroja për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, gjithashtu përmbyllja e ligjit për institutin për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, strategjia për drejtësinë tranzicionale si dhe veprimet konkrete” – tha ministrja.

“Bashkë me MASHTI-n por edhe me ministritë  tjera që lidhen me pavarësinë ekonomike të vajzave dhe grave dhe për luftimin e dhunës në familje dhe dhunës me baza gjinore. Sigurisht që kemi edhe shumë punë tjera që ndërlidhen me Gjykatën Administrative, kodin e procedurës civile, pastaj Gjykatën e Punës, mirëpo ne nuk do të shkëputemi nga prioritetet tona por krahas tyre do të vazhdojmë të punojmë edhe për brenda kompetencave që kemi si Ministri e Drejtësisë”.

Haxhiu përmbylli duke thënë se i pret një vit i rëndësishëm.

“Na pret një vit i rëndësishëm sepse në vitin 2023 të gjitha reformat që i keni nisur që nga marsi i vitit 2021 do të fillojnë të ndihen, pra të jetësohen” – përmbylli ajo.