Haxhi Avdyli dhe Teuta Haxhiu polemizojnë në Komisionin për Hidrocentralet se "kush po bën politikë"

Deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli, dhe deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, janë përplasur në Komisionin Hetimor Parlamentar për Hidrocentralet, duke akuzuar njëri-tjetrin se kush po heton e kush po bën politikë me këtë Komision.

Fillimisht deputetja Haxhiu akuzoi deputetët e LDK-së dhe Vetëvendosjes në këtë Komision, se nuk kanë marrë pjesë në vizitën që ky Komision i ka bërë Lumbardhit në Deçan.

“Gjithmonë me pasë material më shumë është më mirë. I kemi kërku ministrit raportin e monitorimit të inspektorëve. Është një proces që ne duhet me hetu, jo me bo politikë në këtë komision. Më shumë po boni garë që mos me u hetu. Unë kam mjaft pyetje. Kjo punë e këtij komisioni, duket se nuk është interes me hetu kurgjo hiq”, ka thënë Haxhiu.

Ndërsa Avdyli tha se e ka vizituar Lumbardhin bashkë me Grupin e Deputetëve të Gjelbër, më herët se vizita nga ana e Komisionit.

Komisioni Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Kosovë, në mbledhjen e sotme  interviston Arsim Janovën, kryesues i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji dhe Petrit Pepajn, drejtor menaxhues i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE).