Foto: ZKM

Haradinaj: Të zhdukurit janë plagë e madhe e Kosovës

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj në Ditën Ndërkombëtare për Personat e Zhdukur ka thënë se obligimi shtetëror është që të punohet çdo ditë për të zbardhur fatin e personave të zhdukur.

Pas homazheve te Përmendorja dedikuar personave të zhdukur, iu drejtua mediave duke shtuar se të zhdukurit janë plagë e madhe e Kosovës.

“Është obligim i yni shtetëror që të punojmë përditë, pa u ndalur, që ta zbardhim fatin e tyre. Kosova nuk harron!”, ka thënë kryeministri në detyrë Haradinaj.

Bajram Çerkini, anëtar i Komisionit për Persona të Zhdukur si dhe Përfaqësues i Shoqatave Familjare, duke folur në emër të shoqatave, ka thënë se shpreson që edhe Ligji për persona të zhdukur të përfundojë në afatin sa më të shpejtë kohor.

Tani kur Kosova po shënon Javën e Personave të Pagjetur llogaritet se 1 mijë e 652 personave janë të zhdukur.

VIDEO: Ankthi i Dy Dekadave për të Pagjeturit