(Shkatërrimi pas tërmetit në Thumanë) - Foto ilustruese

Haradinaj sot viziton zonat e prekura nga tërmeti në Shqipëri

Kryeministri në detyrë i Kosovës Ramush Haradinaj, sot pritet të udhëtoj për në Shqipëri  për t’i vizituar zonat e prekura nga tërmeti që ndodhi mëngjesin e së martës.

Kështu bëhet e ditur në një komunikatë për media të lëshuar nga zyra për media e kryeministrit në detyrë.

Sipas komunikatës Haradinajn në këtë vizitë do ta shoqërojnë edhe një pjesë e bashkëpunëtorëve të tij.

Shqipëria mëngjesin e së martës u godit nga një tërmet  6.4 ballë me epiqendër në Durrës, nga ky tërmet deri më tani kanë humbur jetën 49 persona, ndërsa qindra të tjerë janë lënduar.

Dy nga viktimat ishin nga Kosova. Isa dhe Shemsedin Abazi mbetën të vdekur në rrënojat e njërit nga hotelet e Durrësit.

Qeveria e Kosovës për tu dalë në ndihmë shtetit shqiptar ka dërguar një kontingjent të policisë dhe ushtrisë, si dhe po ashtu ka ndarë një fond prej 500 mijë euro.