Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haradinaj- Qeverisë: Deklaratat për rritje ekonomike pa fakte, janë ofendim për popullin

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kritikuar Qeverinë Kurti për deklaratat për rritje ekonomike.

Ai ka thënë se rritje kanë shënuar vetëm importet e mallrave nga Serbia.

“Rritje kanë shënuar vetëm importet e mallrave nga Serbia. Kjo qeveri e ka kapërcyer çdo parashikim dhe importet nga Serbia prej 174 milionë në vitin 2020, kanë mbërritur në mbi 306 milionë euro, që është për 76 % më shumë nga viti paraprak. Prandaj deklaratat për rritje ekonomike, pa fakte, janë ofendim për një vend e për një popull të tërë!”- ka shkruar Haradinaj në facebook.

Haradinaj është shprehur se fuqia blerëse e qytetarëve është përgjysmuar.

“Rritja ekonomike sipas Bankës Botërore është 3.1% e jo siç e projektuat ju 10.5%. Inflacioni, poashtu sipas Bankës Botërore, është 19.1%. Kjo i bjen se fuqia blerëse e qytetarit të Kosovës, është përgjysmuar”- thotë Haradinaj.

Kreu i AAK-së u shpreh se kur janë shtrenjtuar gjithë artikujt e domosdoshëm për jetesë, e Qeveria e ka bllokuar Ligjin e Pagave.

“S’ka si të jetë ndryshe, kur janë shtrenjtuar gjithë artikujt e domosdoshëm për jetesë, e qeveria e ka bllokuar Ligjin e Pagave! E ka bllokuar edhe ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike, siç ishte “Kosova e Re” dhe gazsjellësi amerikan, me arsyetime qesharake, se megavati prej 80 eurove i dukej i shtrenjtë, e sot, çmimi i tij pothuajse është dhjetëfishuar”- shton ai.

Më tej, Haradinaj ka theksuar se, nga 706 milionë të planifikuara me buxhetin e shtetit për investime kapitale, janë realizuar vetëm një e dhjeta e tyre dhe se sipas tij, në çdo sferë ekonomike e sociale ka rënie drastike.

“Nga 706 milionë të planifikuara me buxhetin e shtetit për investime kapitale, janë realizuar vetëm një e dhjeta e tyre. Në çdo sferë ekonomike e sociale ka rënie drastike”- thekson Haradinaj.