Haradinaj: Prioritet i Qeverisë së re të jetë përballja me pasojat e pandemisë

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme ka zhvilluar  takim me kryetarët e komunave të udhëhequra nga kjo parti.

Haradinaj përmes një postimi në Facebook tha se fokus i këtij takimi ka qenë situata e krijuar me pandeminë e COVID-19 dhe masat e ndërmarra nga këto komuna.

“Gjatë ditës së sotme kam zhvilluar një takim pune me kryetarët e Komunave, të udhëhequra nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Fokus i diskutimit ishte situata e krijuar nga pandemia Covid-19 dhe masat e ndërmarra nga Komunat në këtë kohë kritike”, ka shkruar Haradinaj.

Haradinaj ka shtuar se në këtë takim po ashtu u diskutua edhe për prioritetet e AAK-së nëse bëhet pjesë e Qeverisë së re.

“Poashtu, shqyrtuam prioritetet e AAK-së dhe përgjegjësitë tona në ndihmën për të tejkaluar krizën institucionale me Qeverinë e ardhshme. Aleanca konsideron se prioritet i Qeverisë së re duhet të jetë përballja me pasojat e pandemisë, rimëkëmbja ekonomike në vend dhe fuqizimi i partneritetit të dëmtuar me aleatët strategjikë të Kosovës”, ka thënë në fund Haradinaj.

AAK është duke diskutuar me LDK-në që të hyjë në koalicion për formimin e Qeverisë së re, pasi që kjo e fundit e inicoi rrëzimin e Qeverisë në krye me Albin Kurtin.