Haradinaj në Gjakovë: Kemi bërë planin financiar si të ndalet rënia ekonomike e si të rriten pagat

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj,  sot ka mbajtur një tubim në qytetin e Gjakovës, gjatë fushatës për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Duke folur për udhëheqjen e AAK-së në Gjakovë, Haradinaj tha se këtij qyteti po i vjen ‘era zhvillim’.

“Gjakovës po i vjen era zhvillim, ka kohë që kur vij e përjetoj. Shumë punë që janë kry në Gjakovë, janë punë që i ka meritu Gjakova dhe meriton shumë më shumë. Vazhdojmë me befasu secilin qytetar se sa dijmë me punu”, tha ai.

Haradinaj atje foli edhe për pagat në sektorin publik e privat, duke thënë se ka një plan financiar për rënien ekonomike gjatë pandemisë. Ai premtoi se nuk do të ketë pagë minimale nën 300 euro.

“Janë bo 21 vjet nga liria e vendit tonë dhe duhet të jemi seriozë, e të përballemi me problemet tona. Kemi bo planin financiar se si me ndal rënien ekonomike e me rrit pagat. Do ta rikthejmë ligjin e pagave dhe do ta zhvillojmë. Nuk guxojmë të lejojmë qytetarin tonë të ketë pagën nën 300 euro. Nuk do të lejojmë në Kosovë që asnjë qytetari statusi financiar me iu rreziku”, deklaroi Haradinaj.

Ish kryeministri që tani synon karrigën e presidentit, foli edhe për marrëdhëniet me BE-në e me Serbinë. Haradinaj përsëriti idenë e tij që Kosova përmes referendumit të bashkohet me Shqipërinë.

“E gëzojmë të drejtën se nëse vonohemi, të vendosim me referendum bashkim në union me Shqipërinë. Ne kemi 21 vjet që respektojmë obligimet ndaj BE –së për antërësim e integrim, ne mund të presim edhe disa vjet, por nuk mundemi të presim pa kufi. Do të vijë një ditë që ne do të kërkojmë të drejtën tonë”.

“Sot u vërtetua edhe nga letra e Biden për Vuçiq. Duhet të jemi seriozë dhe të ruajmë Ballkanin, duke respektu kufijtë, do të ecim përpara. Kosova dhe Serbia duhet ta njohin njëra-tjetrën me kufijtë egzistues”, tha ndër të tjera Haradinaj nga tubimi në Gjakovë.