Ramush Haradinaj në konferencë për media/ Foto: KALLXO.com

Haradinaj: Kërkojmë urgjentisht të bëhet rishikimi i buxhetit të Kosovës për vitin 2022

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të bëhet një rishikim i menjëhershëm i buxhetit për vitin 2022.

Haradinaj ka thënë se Kosova është në një situatë krize dhe prandaj sipas tij duhet rishikuar buxheti i Kosovës për vitin 2022.

“Është një situatë ta quajmë ashtu të krizës në Kosovë dhe bazuar në këtë si Aleancë i sugjerojmë Qeverisë vendit që të ndëmerr menjëherë rishikimin urgjent të buxhetit të vendit për vitin 2022”, ka deklaruar Hadinaj.

Ai tha se ka disa sugjerime për Qeverinë, e një ndër to sipas Haradinaj është edhe heqja e Tatim Vlerës së Shtuar (TVSH) për tre muaj.

“I propozojmë Qeverisë të parasheh disa instrumente me të cilat do të ndërhyjë në krizën pra financiare në vend. E kam fjalën për fuqinë blerëse dhe për vështirësitë që po kalojnë qytetarët e vendit. Është reale heqja e TVSH-së ose 0 TVSH, për një kohë të parë prej 3 muaj që më pas të vlerësohet tutje. Vlerësimi i akcizës për naftën për shkak se akciza dhe çmimi i rritur i naftës ka ndikuar në rritjen e çmimeve të tjera”, tha ai.

Haradinaj shtoi se një prej sfidave të Kosovës është edhe çështja e Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP).

“Njëra prej sfidave të Kosovës është edhe çështje e OSHP-së e cila mban peng projekte të mëdha dhe shuma të mëdha financiare”, theksoi ai.

Për tërheqjen e TRUST-it, Haradinaj tha se partia e tij e përkrah mundësinë që qytetarët të tërheqin një pjesë duke shtuar se duhet të gjendet një “formulë” se si të kthehen këto mjete nga Qeveria.

“Kemi analizuar edhe këtë veprim me kujdes me kolegët tanë, e përkrahim, për shumën se sa duhet jemi të hapur të bëhet një analizë e kujdesshme. Duhet të bëhet një projekt se si do të kthehen këto mjete nga qeveria. Pra, jemi të interesuar që të gjendet formula e rikthimit nga Qeveria”, shpjegoi Haradinaj.