Hani Elezit, Komuna pa stomatolog

Tash e katër vite banorët e Komunës së Hanit të Elezit duhet të shkojnë në Kaçanik, në Ferizaj ose në klinika private për shërbimet denatre, sepse nga viti 2017 në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare “Dr.Menduh Kaloshi’’, nuk ka stomatolog.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com Medina Imishti, drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, në këtë komunë.

“Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare ‘’Dr.Menduh Kaloshi’’ në Han të  Elezit ka pasur stomatolog deri ne vitin 2017. Ndërsa tani kemi kemi mungesën e stomatologut dhe numrin e kufizuar të stafit shëndetësor”, ka thënë Imshiti.

Në anën tjetër F. D. banore e Hanit të Elezit ka treguar së për shërbimet e saja denatre, mjekohet në klinika private.

“Duke qenë se qe disa vite s’kemi dentist në QKMF, shërbimet dentare jemi të detyruar t’i kërkojmë klinikave dentare private. Mirëpo, personat të cilët për shërbime të tilla janë drejtuar në QKMF, tani e kanë si zgjidhje të vetme t’iu drejtohen klinikave private edhe pse kanë kosto me lartë”, ka thënë ajo.

Disa nga infermierët e kësaj QKMF-je kanë treguar se në këtë objekt ekziston dhoma e stomatologut, por përshkak të mungesës së stafit ajo nuk është funksionale.