Ilustrimi: Trembelat

Grupi multietnik mbështet Projektligjin për vendosjen e çmimeve tavan për produktet bazë

Grupi multientik në Kuvendin e Kosovës e kanë mirëpritur Projektligjin për çmimet tavan, apo masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg.

Fridon Lala nga partia IRDK, tha se në kriza të tilla është e nevojshme “dora e shtetit”.

Ai tutje ka shtuar se si përfaqësues i komunitetin egjiptian, për këtë komunitet përballja me inflacionin është bërë e pa përballueshme.

“Mirëpresim dhe mbështesim projektligjin. Si përfaqësues i komunitetin egjiptian njërit prej grupeve më të varfëra në vend. Unë i kam përcjell shqetësimet serioze të komunitetit për të cikët është bërë e pa përballueshme përballja me inflacionin e lartë që ka rezultuar edhe më ngritjen e çmimeve të produkteve bazë”- ka thënë ai.

Kuvendi është duke e shqyrtuar në parim Projektligjin për çmimet tavan, apo masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg, të propozuar nga Qeveria.

Tri partitë opozitarë në Kuvend, PDK, LDK dhe AAK janë deklaruar kundër këtij projektligji.

Kryetarja e GP të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila ka thënë ky projektligj ndihmon në sistuatat kur ka mungesë të pa pritur apo të vazhdueshme të produkteve themelore.

Projektligji parash veprime konkrete sidomos në produkte bazike duke përfshirë: drithërat, miellin, grurin, orizin, pastat, vajin ushqimor të lulediellit, qumështin, kripen e kuzhinës, vezët e pulës, mishin  e pulës, sheqerin, produktet e higjienës personale etj.

Qëllimi i kësaj nisme legjislative është që të rregullojë masat mbrojtëse të furnizimit me produkte themelore për konsumatorët, në kohë të paraqitjes së rasteve të veçanta të destabilizimit në treg në pajtim me këtë ligji dhe mënyrën e zbatimit të tyre.