Grumbullimi i qytetarëve për "Marshin e Drejtësisë" përmes fotografive

Qytetarë të shumtë të veshur me bluza në të cilat shkruhet “Liria ka emër” e me pankarta në duar, kanë nisur grumbullimin në sheshin “Zahir Pajaziti”.

Grumbullimi po bëhet për tu bashkangjitur më pas në marshin e organizuar për të kërkuar drejtësi ndaj ish- krerëve të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës (UÇK) të cilët nga nesër do të nisin gjykimin në Hagë.

Fytyrat e ish- Presidentit Hashim Thaçi, ish- kryeparlamentarit Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, janë vendosur në pankartat të cilat po mbajnë disa qytetarë të rinjë e të moshuar, në duar.

Gjatë ditës së djeshme organizatorët e këtij marshi bënë thirrje që në këtë marsh të ketë dalje masive të qytetarëve të Kosovës.

Mbledhja e qytetarëve do të bëhet fillimisht në sheshin “Zahir Pajaziti” për të vazhduar më pas drejtë sheshit “Skënderbeu”.

Eliza Hoxha, njëra nga organizatoret tha gjatë ditës së djeshme se për këto dy javë sa është bërë fushata për organizim, ftesat për pjesëmarrje kanë gjetur përkrahje të jashtëzakonshme.

“E ndjejmë për obligim që të falënderojmë të gjitha pa dallim të cilët na kanë mbështetur për realizimin e këtij marshimi. Marshimi është vetëm një ditë para fillimit të procesit gjyqësor, falënderojmë organizatat e dala nga lufta, familjet e dëshmorëve, të martirëve, partitë politike, tifozeritë sportive, forumet rinore të universiteteve, aleancat e bizneseve, komunat e Kosovës, kryetarët e komunave e të gjithë qytetarët pa dallim” – ka thënë Hoxha.

Ndërsa organizatori tjetër, Ismail Tasholli, tha se qëllimi i marshimit është për të mbrojtur të vërtetën e Kosovës, e që sipas tij, është UÇK-ja.

“Siç e dini e kemi për mision qytetar që të drejtën tonë ta mbrojmë, këtë rast UÇK-në. Ushtria Çlirimtare ka bërë luftë të drejtë, këtë të vërtetë duhet ta ruajmë të gjithë, është e vërteta e Kosovës” – tha ndër të tjera Tasholli.

Në sheshin “Zahir Pajaziti” janë parë edhe zyrtarët policorë të rendit.

Policia e Kosovës orë më parë njoftoi në lidhje me masat operacione për të siguruar që ky marsh të shkoj pa incidente.