Policia e Kosovës duke ruajtur objektin e Qeverisë së Kosovës në protesta, Foto: KALLXO.com

Pak orë para fillimit të “Marshit për Drejtësi”, Policia jep detaje për planin e sigurisë

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka bërë përgatitjet e nevojshme operacionale për të ruajtur rendin dhe qetësinë publike në marshin i cili është organizuar për të kërkuar drejtësi për ish- krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) të cilët po gjykohen në Hagë.

Njoftimi i policisë erdhi vetëm pak orë para se të nis ky marsh i cili do të filloj në sheshin “Zahir Pajaziti” e do të marshohet deri në sheshin “Skënderbeu”.

“Lidhur me këtë PK-ja, ka filluar me kohë përgatitjen dhe ndërmarrjen e masave që kanë për qëllim mbarëvajtjen e marshutës, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, ofrimin e sigurisë për qytetarët dhe ofrimin e sigurisë në trafik”- thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Tutje Policia do të ndërmerr masat e nevojshme preventive, operative policore për të siguruar që mbarëvajtja e marshit të kalojë pa ndonjë incident, që pjesëmarrësit të shprehin qëllimin e tyre në mënyrë demokratike.

“Sipas procedurave të parapara policia do të merr masa dhe do të shtojë aktivitetet operative para, gjatë dhe pas përfundimit të marshutës, andaj ftojmë qytetarët pjesëmarrës që të marshojnë të qetë dhe që kërkesat e tyre t’i shpalosin në mënyrë demokratike”- thuhet tutje në njoftim.

Sot mbahet “Marshi për Drejtësi” kërkohet drejtësi për ish- krerët e UÇK-së