Tasholli: Isha 13-vjeç kur e pashë për herë të parë ushtarin e UÇK-së

Në një fjalë rasti para pjesëmarrësve në Marshin për Drejtësi, Ismajl Tasholli, ka rrëfyer se ka qenë 13-vjeçar kur ka parë për herë të parë ushtarin e UÇK-së.

“Si fëmijë nuk e kuptoja krejt peshën e asaj që po ndodhte por ishte një betejë mes të mirës dhe të keqes, lirisë dhe robërisë, jetës dhe vdekjes. E kam ndjerë në palcë pabarazinë” – tha ai.

Sipas Tashollit, UÇK është vlera më sublime që e kemi krijuar si komb. “Si komb njëzëri marshojmë kundër ndryshimit të historisë. Marshojmë për drejtësi” – shtoi ai.

Mijëra qytetarë nga të gjitha anët e Kosovës, por edhe më gjerë, kanë vërshuar sheshet e Prishtinës në kuadër të Marshit për Drejtësi.

Marshi i Drejtësisë është përkrahur edhe nga parti politike, drejtues të institucioneve dhe organizata të ndryshme.

Marshi i Drejtësisë është organizuar në prag të fillimit të gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale.

Nesër, në Gjykatën Speciale në Hagë nis gjykimi i Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka ngritur aktakuzë ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit dhe po i ngarkon me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, që dyshohet se janë kryer gjatë luftës në Kosovë.

Në Gjykatën Speciale po gjykohen edhe ish-pjesëtarë të tjerë të UÇK-së, Pjetër Shala, Nasim Haradinaj, Hysni Gucati dhe Salih Mustafa.

Gjykata Speciale është formuar nga Kuvendi i Kosovës më 2015.