Hoxha: Ky shesh do të jehojë sërish, në ditën e kthimit të çlirimtarëve tanë

Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, në Marshin për Drejtësi para të pranishmëve rrëfeu për situatën para 24 viteve, kur forcat serbe po dëbonin me forcë qytetarët e kryeqytetit dhe Prishtina i ngjante një qyteti fantazmë.

“Por ne u kthyem e këto sheshe u mbushën prapë, për të festuar çlirimin, për të festuar pavarësimin e Kosovës… UÇK na bashkon, thirrja për drejtësi na bashkon. E unë jam e bindur se ky shesh do të jehojë sërish, në ditën e kthimit të çlirimtarëve tanë” – tha Hoxha.

Mijëra qytetarë nga të gjitha anët e Kosovës, por edhe më gjerë, kanë vërshuar sheshet e Prishtinës në kuadër të Marshit për Drejtësi.

Marshi për Drejtësi është përkrahur edhe nga parti politike, drejtues të institucioneve dhe organizata të ndryshme.

Marshi është organizuar në prag të fillimit të gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale.

Nesër, në Gjykatën Speciale në Hagë nis gjykimi i Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka ngritur aktakuzë ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit dhe po i ngarkon me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, që dyshohet se janë kryer gjatë luftës në Kosovë.

Në Gjykatën Speciale po gjykohen edhe ish-pjesëtarë të tjerë të UÇK-së, Pjetër Shala, Nasim Haradinaj, Hysni Gucati dhe Salih Mustafa.

Gjykata Speciale është formuar nga Kuvendi i Kosovës më 2015.