Me autobusë e të organizuar qytetarë të shumtë drejtë kryeqytetit për "Marshin e Drejtësisë"

Me flamuj të vendosur në automjetet e tyre e duke i rënë borisë, qytetarë të shumtë nga vende të ndryshme të Kosovës janë nisur për në Prishtinë.

Rrugëve gjatë ditës janë parë autobus, vetura e motoçikleta që destinacion e kanë sheshin e kryeqytetit, për t’iu bashkëngjitur “Marshit për Drejtësi”.

Tash e disa ditë, në rrjete sociale e jo vetëm janë bërë thirrje të shumta që qytetarët të bëhen pjesë e këtij marshi.

Kompani të autobusëve nga e gjithë Kosova janë organizuar duke e ofruar falas udhëtimin deri në Prishtinë për qytetarët që kanë shprehur dëshirën të bashkohen në thirrjen për të kërkuar drejtësi për ish- krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët gjenden në Hagë duke u gjykuar.

“Marshi për Drejtësi” pritet të filloj nga ora 14:00, përderisa tubimi i qytetarëve do të bëhet fillimisht në sheshin “Zahir Pajaziti” për të vazhduar më pas drejtë sheshit “Skënderbeu”.

Gjatë ditës së djeshme organizatorët e këtij marshi bënë thirrje që në këtë marsh të ketë dalje masive të qytetarëve të Kosovës.

Eliza Hoxha, njëra nga organizatoret tha gjatë ditës së djeshme se për këto dy javë sa është bërë fushata për organizim, ftesat për pjesëmarrje kanë gjetur përkrahje të jashtëzakonshme.

Ajo falënderoi të gjithë, pa dallim për mbështjetjen që kanë dhënë në realizimin e këtij marshimi.

Ndërsa organizatori tjetër, Ismail Tasholli, tha se qëllimi i marshimit është për të mbrojtur të vërtetën e Kosovës, e që sipas tij, është UÇK-ja.

‘Marshin për Drejtësi’ e ka mbështetur edhe partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, si dhe kryetar i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Në anën tjetër, Policia e Kosovës ka njoftuar se ka bërë përgatitjet e nevojshme operacionale për të ruajtur rendin dhe qetësinë publike gjatë këtij marshi.

Njoftimi i policisë erdhi vetëm pak orë para se të nis ky marsh, në të cilin njoftim u tha se PK-ja, ka filluar me kohë përgatitjen dhe ndërmarrjen e masave që kanë për qëllim mbarëvajtjen e marshutës, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, ofrimin e sigurisë për qytetarët dhe ofrimin e sigurisë në trafik.

Grumbullimi i qytetarëve për “Marshin e Drejtësisë” përmes fotografive