Foto: Platforma "Liria ka emër"

Krasniqi: Lavdia e UÇK-së nuk pakësohet me kalimin e viteve

Mijëra qytetarë nga të gjitha anët e Kosovës janë mbledhur në sheshet e Prishtinës në Marshin për Drejtësi, në përkrahje të ish- krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), gjykimi ndaj të cilëve do të nisë nga nesër në Hagë.

Në këtë marsh ishte i pranishëm edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, i cili para të pranishmëve tha se ish-krerët e UÇK-së po e përcjellin këtë marsh drejtpërdrejt nga Haga.

“Në këto momente janë duke na përcjellë drejtpërdrejt nga Haga çlirimtarët tanë. Bashkimi jonë drejt një kauze të drejtë është ajo që i duhet më së shumti Kosovës sepse vetëm kështu siç jemi sot ia kemi dalë gjithmonë ta mbrojmë të vërtetën  dhe ta kërkojmë të drejtën që na takon” – tha Krasniqi.

Sipas tij, tubimi i sotëm është mesazhi më i qartë se lavdia e UÇK-së nuk pakësohet me kalimin e viteve.

“Nga zemra ju jam mirënjohës që jeni sot këtu për t’ia dhënë një pamje te tillë Kosovës. Kjo pamje është mesazhi më i qartë dhe më i drejtpërdrejtë se liria jonë ka emër dhe se lavdia e UÇK-së nuk pakësohet me kalimin e viteve, nuk tjetërsohet me ndryshimin e  gjeneratave dhe se çdo gjeneratë e së ardhmes do ta ketë po të njëjtin emocion si gjeneratat e të sotmes sa herë që i thërret tri shkronjat e arta të lirisë tonë – UÇK-së” – shtoi Krasniqi.

Kreu i PDK-së tha se 42 vjet më parë, më 2 prill rrugët e Prishtinës ishin mbushur plot me studentë, punëtorë e qytetarë që kërkonin Kosovën republikë si përgjigje ndaj shtypjes që bëhej ndaj popullit të Kosovës në Jugosllavi, teksa shtoi se po ashtu 24 vite më parë rrugët e Prishtinës përëri në këtë datë u mbushën plot me burra e gra, pleq e fëmijë  që ishin dëbuar me dhunë nga shtëpitë e tyre.

“Sot ballëlartë e me zemër plot marshojmë krenar për ata që dikur marshuan drejt lirisë” – përmbylli ai.

Nesër, në Gjykatën Speciale në Hagë nis gjykimi i Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka ngritur aktakuzë ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit dhe po i ngarkon me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, që dyshohet se janë kryer gjatë luftës në Kosovë.

Në Gjykatën Speciale po gjykohen edhe ish-pjesëtarë të tjerë të UÇK-së, Pjetër Shala, Nasim Haradinaj, Hysni Gucati dhe Salih Mustafa.