Gruaja kosovare pranon fajin se iu bashkua ISIS-t në Siri

9 muaj pasi u kthye në Kosovë nga kampet në zonat e luftës në Siri, Qëndresa Sfishta pret një vendim nga Gjykata e Prishtinës që po e gjykon për pjesëmarrje në terrorizëm.

Ajo sot para trupit gjykues e pranoi se kishe shkuar në Siri dhe i kishte ofruar shërbime logjistike bashkëshortit të saj që luftonte përkrah ISIS-it.

Ajo gjithashtu u deklarua se ndihet e penduar për këtë dhe e pyetur nëse do ta përsëriste veprën ajo tha “asnjëherë”.

Prokurorja e rastit Florije Shamolli u pajtua me pranimin e fajësisë i cili është vullnetar.

Sot në orën 14 pritet të shpallet vendimi lidhur me  këtë rast gjyqësor.

Prokuroria Speciale thotë se e akuzuara Qëndresa Sfishta, nga Podujeva në moshën 25 vjeçare së bashku me burrin e saj Artan Arapin më 15 prill të vitit 2015, kishin lëshuar  territorin e Republikës së Kosovës, ku me taxi nga Prishtina përmes pikës kufitare ‘’Hani I Elezit’’ kanë shkuar në aeroportin e Shkupit nga ku kanë fluturuar për në Turqi dhe pastaj në Siri.

Sipas aktakuzës, Qëndresa Sfishta duke përdorur shumën e rregullt mujore prej 200 $, I kishte ofruar shërbime logjistike burrit të saj i cili aktivisht kishte marrë pjesë në luftërat e organizatës terroriste  ISIS.

Prokuroria shpjegon se e akuzuara vazhdimisht kishte ndërruar edhe vendbanimin varësisht nga ndryshimi I=i territorit të shtetit islamik, duke kaluar nga Siria në Irak dhe anasjelltas derisa ISIS kishte pësuar disfatën e plotë kur kanë qenë të detyruar të dorëzohen te forcat kurde të cilët pastaj me ndihmën e ushtrisë amerikane i kanë deportuar në prill të vitit 2019 në Kosovë.

Nga data 24 maj 2019  deri më 25 qershor 2019 e akuzuara ishte në arrest shtëpiak.