Greva e BSPK-së vazhdon edhe sot, thonë se nuk i shqetëson paralajmërimi për pezullim të pagave

Greva e filluar dje nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës po vazhdon edhe sot, të premtën.

Kryetar i Shoqatës Sindikale të Komunës së Prishtinës, Ahmet Gashi tha për KALLXO.com se paralajmërimi i Ministrisë së Financave për pezullimin kontratave të punës së grevistëve nuk i ndalon ata në vazhdimin e grevës.

“Na të gjitha procedurat i kemi respektuar. Ajo deklaratë neve nuk na shqetëson sepse jemi në harmoni me ligjin. I kemi paralajmëruar, ka qenë që një vit ky paralajmërim.” – tha Gashi.

Enis Spahiu, zëvendës-sekretar në këtë Ministri, dje ka thënë për KALLXO.com se paga e secilit grevist do të pezullohet për aq kohë sa qëndron në grevë e që rrjedhimisht ata nuk janë të detyruar të dalin në punë për aq kohë sa duan të qëndrojnë në grevë.

E për këtë ai u thirr në paragrafin e parë të nenit 18 të Ligjit për Greva.

Ky paragraf thotë se gjatë zhvillimit të grevës pezullohen detyrimet, që rrjedhin nga Kontrata e Punës.

Ndërsa, këtë paralajmërim të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, BSPK-ja dje e quajti akt të paligjshëm.

Avokati Arbër Jashari, i pyetur nga KALLXO.com për këtë çështje tha se një normë e tillë ekziston mirëpo, nuk e di se si ka kaluar ose çka është mëtuar të bëhet me atë normë juridike kur ka kaluar në kuvend.

Kjo pasi që sipas tij është në kundërshtim me frymën e ligjit dhe vlerave që përfaqëson dhe mbron ligji për greva.

“Në parim çdokush është i lirë me mbajt grevë pa frikën që kjo ka me iu hakmarrë në njëfarë forme dhe nëse ti i ndëshkon materialisht, pavarësisht se qysh emëron, i bie njëfarë lloj presioni ose ndëshkimi që ata të realizojnë një të drejtë të tyren.” – thotë avokati Jashari.

Ministria e Financave është kontaktuar nga redaksia jonë për një sqarim më të gjerë rreth kësaj çështjeje, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk kemi marrë përgjigje.

Greva e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka nisur dje.

Rritja e pagës prej 100 euro për të gjithë të punësuarit derisa të miratohet e zbatohet Ligji për Paga, Plotësim – ndryshimi i Ligjit për Skemat Pensionale të financuara nga shteti dhe zbatimi sa më parë i Ligjit të miratuar dhe të shpallur për Sigurimin Shëndetësor qysh në 2014-ën janë tri kërkesat e sindikalistëve.