Zyrtari i Policisë së Kosovës Foto: Naser Fejza/ KALLXO.com

Goditja e policëve me veturë në Mitrovicë të Veriut, Policia jep detaje

Policia e Kosovës ka dhënë detaje në lidhje me rastin e ndodhur gjatë ditës së djeshme në Mitrovicë të Veriut, ku sipas njoftimit, dy zyrtarë policorë janë goditur me veturë nga një i dyshuar që po ikte nga vendi i ngjarjes.

Rreth orës 12:30 njësia policore ka tentuar të ndalojë një veturë, mirëpo drejtuesi i veturës nuk është ndalur dhe gjatë ikëjes ka goditur dy zyrtarë policorë, si dhe veturën zyrtare të policisë.

I dyshuari ka braktisur veturën dhe është larguar në këmbë, ndërsa gjatë kontrollit në veturën e të dyshuarit, është gjetur dhe sekuestruar një sasi e dyshuar narkotike e llojit marihuanë.

Në anën tjetër, me të pranuar informacionin për gjuajtjen me armë, Inspektorati Policor i Kosovës ka filluar trajtimin e rastit.

Në një përgjigje për KALLXO.com, IPK tha se tashmë kanë pranuar informacionet dhe do të verifikojnë të dhënat që kanë pranuar në lidhje me këtë rast dhe varësisht nga rezultatet do të ndërmerren edhe veprimet e mëtutjeshme në bazë të ligjit.

Tutje për këtë rast është njoftuar edhe Prokuroria Themelore në Mitrovicë.

Kryeprokurori i Mitrovicës, Ismet Ujkani, tha në një bisedë për KALLXO.com se tashmë prokurori është udhëzuar që të shkojë edhe në vendin e ngjarjes pasi gjatë kohës sa kishte ndodhur rasti dhe ishte njoftuar, kishte qenë në një seancë për një rast tjetër.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në veri të vendit, Veton Elshani, për KALLXO.com konfirmoi se policët në kundërpërgjigje përdorën edhe armët ndërsa vetëm pak kilometra më larg ishte gjetur edhe vetura e të dyshuarit.

Inspektorati Policor dhe prokuroria nisin trajtimin e rastit të gjuajtjes me armë nga policia në Suhodoll