Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, edhe një dëshmitar dëshmon në seancë të mbyllur për publikun

Në Dhomat e Specializuara në Hagë të hënën seanca është zhvilluar në pjesën më të madhe e mbyllur për publikun.

Në këtë seancë është dëgjuar dëshmitari i mbrojtur, i koduar me shifrën W04769.

Ky dëshmitar ka dëshmuar në kuadër të gjyqit ndaj ish-krerëve të UÇK –së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të akuzuar me pretendime për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Në sesionin e paradites, dëshmitari është pyetur nga mbrojtësi i Selimit, avokati Geoffrey Roberts.

Në seancë është diskutuar për klasifikimin e një dokumenti që ka nënshkrimin e dëshmitarit.

Prokurori i specializuar ka argumentuar se dokumenti duhet të mbetet i klasifikuar.

Sesioni i pasdites filloi po ashtu me seancë të mbyllur, ku dëshmitari i 30-të u pyet nga mbrojtësi i Hashim Thaçit, avokati Gregory Kehoe.

Dëshmitari i 29-të nuk ishte i pranishëm për të depozituar dëshminë e tij në gjykimin kundër Thaçit dhe të tjerëve, prandaj avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, kërkoi arsyet e kësaj mungese.

Lidhur me këtë është konfirmuar se dëshmitari i 29-të nuk ka dëshmuar edhe sot në gjykim, megjithëse ishte planifikuar që ai të ishte prezent për t’u pyetur.

“Çfarë ka ndodhur me dëshmitarin që u vendos që të japë dëshmi sot, është në ndërtesë meqë kuptova apo jo?”- pyeti avokati Emmerson.

Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, argumentoi se dëshmitari i 29-të është kthyer në shtëpi për shkak të nevojës për kohë të mëtejshme për të intervistuar dëshmitarin e 30-të.

“Nuk është këtu në ndërtesë  sepse sot vendosëm që na duhej shumë kohë për të marrë në pyetje dëshmitarin më të cilin po merremi dhe prandaj vendosëm që ta kthenim në shtëpi”-theksoi Smith.

Seanca e ardhshme do të zhvillohet nesër.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Më 10 maj 2022, gjatë paraqitjeve të tyre, të katër të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat e reja në aktakuzën e ndryshuar.

Më 15 dhjetor gjykatësi i procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes trupit gjykues II. Konferenca përgatitore për gjykim u mbajt më 18 janar 2023, pasuar nga konferenca përgatitore e prokurorit të specializuar më 15 shkurt.

Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.