Arkiv - Gjykimi i Kolë Pukës | Foto: KALLXO.com

Gjykimi nga ish-gjyqtarit Kolë Puka, Prokuroria precizon periudhën e kryerjes së veprës penale

Ish-gjyqtari Kolë Puka është ulur sot në bankën e të akuzuarve, për t`u përballur me akuzat që Prokuroria Speciale i vë në barrë.

I njëjti nga Gjykata Themelore në tetor të vitit 2022 ishte dënuar me 10 muaj  dënim unik dhe me 2 mijë euro dënim me gjobë për veprën penale shpëlarje parash, të njëjtit nga gjykata iu kishte  shqiptuar dënimi i konfiskimit të shtëpisë.

Sipas aktit akuzës, Kolë Puka është marrë me aktivitete kriminale duke fituar në mënyrë të kundërligjshme mjete financiare me shuma milionëshe nga periudha kohore 2002 deri më 2009, e krejt kjo duke e shfrytëzuar pozitën e tij si gjyqtar në Gjykatën komunale në Klinë.

Sipas aktakuzës së ngritur në vitin 2014, Puka duke e ditur se pasuria e fituar ka rrjedhur nga aktiviteti kriminal me qëllim që të njëjtën pasuri ta fshehë, ta konvertojë, ta transferojë apo maskimin e natyrës  se burimit, me këto mjete financiare kishte blerë patundshmëri, një shtëpi dy-katëshe me 500 m2 në fshatin Çagllavicë në vlerë prej 35,000.00 euro.

Tutje në aktin akuzues, thuhet që më qëllim që Kolë Puka t’i fshehë sa më shumë gjurmët lidhur me këtë patundshmëri në bashkëpunim me prindin e tij Z. P. (tashmë i ndjerë) këtë patundshmëri Kola e kishte evidentuar në emër të të atit të tij, gjoja se i ati i Kolës e kishte blerë edhe pse i njëjti faktikisht nuk e kishte blerë pasi që nuk ka pas mundësi materiale.

Me këto veprime të dy akuzoheshin në bashkë kryerje për shpërlaje të parash, por procedura penale ka pushuar ndaj të atit të Kolë Pukës pasi që i njëjti ka vdekur.

Tutje Puka akuzohet se me qëllim të fshehjes së pasurisë së përfituar nga aktiviteti kriminal të cekura si më lart, me datë 08.06.2007 ka blerë një banesë me sipërfaqe prej 26m2 në Pejë, të njëjtën banesë me datë 09.10.2007 ja kishte shitur J. A. në shumën prej 8,000 euro.

Më datë 20.02.2007 Kolë Puka kishte blerë banesë nga B.A. me vlerë prej 38,000.00 euro (8  mijë uro është llogarit banesa të cilën ja kishte shitur J. A. ndërsa 30 mijë euro i ka dhënë të holla).

I pandehuri duke dashur që ta maskojë dhe fsheh burimin e mjeteve financiare të përfituara nga aktivitetet kriminale të njëjtën patundshmëri të cekur si më lart ja ka shitur K. D. me vlerë rreth 30,000.00.

E me këto veprime i njëjti, sipas gjykatës ka kryer veprën penale shpëlarje parash nga Ligji për parandalimin dhe financimin e terrorizmit.

Pas ankesave të palëve në procedurë, Apeli rastin e kishte kthyer në rigjykim.

Në seancën e mbajtur, në fjalën përfundimtare Prokuroria Speciale bëri precizimin e periudhës kohore për të cilën akuzohet Puka.

Puka në aktakuzën e prokurorisë akuzohej se vepra penale ishte kryer në periudhën kohore 2002-2009, e në precizimin e bërë sot periudha kohore u tha të jetë 2007-2009.

“Në përshkrimin e kohës së kryerjes së veprës penale që përfshihet periudha 2002-2009 do të bëjmë precizimin e kohës nga 2007-2009, pjesa tjetër e dispozitivit të aktakuzës mbetet e pa ndryshuar”- bëri precizimin e periudhës kohore prokurori i Prokurorisë Speciale Naim Abazi.

Tutje prokurori Abazi tha se gjykata duhet të ja falë besimin provave të prezantuara nga prokuroria.

Prokurori kërkoi nga gjykata – kolegji i gjyqtarëve – kryetare Suzana Qekini, Vesel Ismajli, Violeta Namani, që Puka të dënohet pasi që vetëm kështu do të parandalohen personat e tjerë nga kryerja e veprës penale të njëjtë.

Kurse mbrojtësi i Kolë Pukës, Veton Puka në fjalën përfundimtare propozoi që të merren për bazë qëndrimet e Gjykatës së Apelit në shqiptimin e dënimit dhe të mbrojturin e tij ta liroj nga akuza.

“Kërkoj nga trupi gjykues që në një linjë me qëndrimet e  Gjykatës së Apelit, i mbrojturi im të lirohet nga akuza”- tha mbrojtësi Puka.

Për këtë rast shpallja e aktgjykimit u caktua të bëhet sot.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë proces gjyqësor mund t`i lexoni duke klikuar në LINK