Gjykimi i Thaçit dhe të tjerëve, Halitjaha thotë se s'ka pasur burg në Kleçkë, përballet me një dokument të nënshkruar nga Agim Zogaj

Gjatë dëshmisë së tij në Gjykatën Speciale, ku për krime të pretenduara të luftës dhe krime kundër njerëzimit po gjykohen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi, ish-komandanti i UÇK-së, Sadik Halitjaha ka deklaruar se nuk ka pasur ndonjë objekt ndalimi apo burg në Kleçkë.

Dëshmitari Halitjaha u përball me një dokument, i nënshkruar në Kleçkë nga Agim Zogaj. Sipas pretendimeve të trupit gjykues, kjo nënkuptonte  se Zogaj ka ushtruar rolin e drejtorit të burgut në Kleçkë, ku gjatë kohës së tij ka qëndruar i ndaluar edhe Blerim Kuçi.

Por dëshmitari e mohoi këtë.

“Nuk kanë ekzistu këto struktura. Ndoshta ka pasë ai ndonjë ahur të lopëve të vetin a ndonjë bodrum ku i ka mëshelë njerëzit, unë nuk e di dhe s’e kuptoj. Unë jam shumë i indinjuar që tash po e kuptoj këtë”- tha Halitjaha.

Gjyqtari Guénaël Mettraux paraqiti një dokument që përcakton se në objektin e ndalimit, Blerim Kuçi kishte shkuar aty më 27 janar 1999, në bazë të një vendimi gjyqësor. Në këtë dokument konstatohet se një person është liruar nga grupi i quajtur “Çeliku”, i cili sipas dëshmitarit ishte një nofkë e Fatmir Limajt.

Sipas gjyqtarit, dokumenti vazhdon me informacionin se një person me emrin Milan Mitroviqi ishte ndaluar për rreth dy javë dhe më pas kishte qenë i arrestuar ose liruar nga Shtabi i Përgjithshëm, duke përmendur emrin “Luli”.

E për këto dëshmitari u shpreh i çuditur.

“Nuk mund ta ngarkoj as Fatmir Limajn që e ka pasë pseudonimin “Çeliku” e as Kadri Veselin që e ka pasë pseudonimin “Luli”, se “Luli” ka pasë edhe të tjerë. Unë po çuditem me këto mbajtje, mbyllje, mëshelje…”- sqaroi  Halitjaha.

Në vijim të dëshmisë së sotme dëshmitari Halitjaha ka thënë se Blerim Kuçi, i cili kishte shërbyer si komandant brigade, ka dezertuar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Ai më tej ka shfaqur dyshime në lidhje me statusin aktual të Blerim Kuçit, duke thënë se nuk ka informacion nëse ai ishte arrestuar ose ndaluar. Sipas tij, Blerim Kuçi ka mohuar vetë faktin e ndalimit.

Sa i përket dokumentit të datës 16 janar 1999, që pretendohet se është nga Fatmir Limaj dhe ka lidhje me paraburgimin e Blerim Kuçit për një periudhë treditore, Halitjaha theksoi se mungonte nënshkrimi dhe vula.

“Mund të jetë edhe i saktë, por nuk paska as nënshkrim dhe as vulë. Nuk e di a ka pasur të drejtë ta shkruajë këtu emrin e vetë Fatmir Limaj derisa ka qenë Sokol Dobruna, këshilltar juridik në Shtabin e Përgjithshëm, Sokol Dobruna dhe jo Fatmir Limaj. Fatmir Limaj në emër të Policisë nuk e di, nuk e kuptoj”- theksoi Halitjaha.

Në lidhje me rolin e Policisë Ushtarake për të arrestuar dikë për dezertim, Halitjaha mohoi të kishte pasur një gjë të tillë dhe nuk kishte informacion mbi raste të tjera të ngjashme.

Në pjesën tjetër të dëshmisë së tij, duke folur për disiplinën brenda Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Halitjaha theksoi se në batalionin e Budakovës mungonte çdo urdhër zyrtar apo të drejtë për ndalim të ushtarëve.

Dëshmitari tutje hedhi dyshime mbi ekzistencën e Policisë Ushtarake në Zonën Operative të Pashtrikut më 1998.

Ai hodhi poshtë edhe një kumtesë të datës 1 nëntor 1998, pretenduar të jetë nga Drejtoria e Policisë Ushtarake, duke thënë se nuk ka pasur informacion për ekzistencën e një strukture të tillë në atë kohë.

Në kohën kur dëshmitari po jepte dëshminë e tij u ballafaqua me një listë emrash të individëve, të cilët pretendohet se kishin kryer ‘veprime të caktuara’. Megjithatë, Halitjaha theksoi se ekziston mundësia që kjo listë të jetë përgatitur nga dikush i përfshirë me Shërbimin Sekret të ish-Jugosllavisë.

“Listën që e pash më parë dhe tani që po i shoh këta emra, ka ardhur nga dikush që ka qenë në Shërbim Sekret të ish-Jugosllavisë apo polic dhe hamendësova dhe ndoshta thash drejt nga shërbimi Mulla Abazi ka mujtë me bë për shkak se ka qenë polic i Jugosllavisë”-tha dëshmitari.

Sadik Halitjaha është dëshmitar i 36-të i Prokurorisë i cili do të vijoj dëshminë e tij edhe nesër.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Më 10 maj 2022, gjatë paraqitjeve të tyre, të katër të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat e reja në aktakuzën e ndryshuar.

Më 15 dhjetor gjykatësi i procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes trupit gjykues II. Konferenca përgatitore për gjykim u mbajt më 18 janar 2023, pasuar nga Konferenca Përgatitore e Prokurorit të Specializuar më 15 shkurt.

Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse. Ndërkaq, Prokuroria ka propozuar mbi 300 dëshmitarë në këtë rast.

Çështja në këtë rast po drejtohet nga gjykatësit Charls Smith III (kryesues), Kristof Barte, Genël Metro dhe Fergal Gejnor.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.