Gjykata Themelore e Mitrovicës - Foto: KALLXO.com

Gjykimi i policëve për përfshirje në një konflikt mes qytetarëve

Gjykimi ndaj zyrtarëve policorë Nebojsha Vukojeviq dhe Sreqko Janiçijeviq, i pari nga Zveçani, kurse tjetri nga Leposaviqi, për keqpërdorim të detyrës zyrtare, për pjesëmarrje në një konflikt mes disa qytetarëve për një borxh, ka vazhduar sot në Gjykatën e Mitrovicës.

Gjatë kësaj seancë është dëgjuar dëshmia e dëshmitarit Milleta Qolloviq, i cili sipas dëshmisë e kishte parë ngjarjen pasi në kohën kur kishte ndodhur rasti  ka punuar në autolarjen e cila gjendet në pompën e derivateve “Oktan”, ku kishte ndodhur ngjarja.

Dëshmitari ka thënë se ishte prezent kur kishte ndodhur ngjarja, ndërsa ka deklaruar se e njihte tani të dëmtuarin Dejan Velkoviq pasi ishte fqinji i tij.

Qolloviq duke u përgjigjur në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit Nebojsha Vukojeviq, avokatit Miodrag Bërklaq, tha se kishte parë kur në vendin e ngjarjes i cili ishte larg punës së tij 25 deri 30 metra, kishin qëndruar disa njerëz të cilët sipas tij kishin biseduar.

“Ka qenë një me kamion dhe dy njerëz tjerë, atë që ka qenë në kamion nuk e kam njohur ndërsa këta dy të tjerët po“, tha dëshmitari.

I pyetur për policët të cilët kishin shkuar në vendin e ngjarjes dëshmitari ka deklaruar se i kishte parë policët që kishin shkuar në vendin e ngjarjes dhe se ata ishin tani të akuzuarit Janiçijeviq dhe Vukojeviq.

Gjithashtu dëshmitari ka deklaruar se kishte parë momentin kur vozitësi i kamionit ka dalë nga kamioni, duke thënë se ai kishte dalë në mënyrë normale.

Më tutje dëshmitari ka thënë se e kishte parë vozitësin e kamionit duke biseduar me policët por ka shtuar se nuk kishte parë në asnjë moment që policët ta kishin tërhequr me dhunë vozitësin në drejtim të makinës së tyre.

Në këtë seancë ishte paraparë të dëgjoheshin edhe dëshmitaret Radisha Llazoviq e Sllobodan Pandriq, por të njejtit janë me vendbanim në Kralevë, në Serbi, dhe nuk ishin prezentë në seancë.

Trupi gjykues ka njoftuar se pas marrjes së mendimit të të gjitha palëve ka vlerësuar të arsyeshme që të provohet edhe një herë që dëshmitarët e propozuar nga ana e Prokurorisë të ftohen me ftesa të rregullta, në të kundërtën gjatë seancës së ardhshme do të merren veprime procedurale lidhur me propozimet konkrete.

Sipas akuzës të akuzuarit Vukojeviq dhe Janiçijeviq, të dy zyrtarë policorë, u bënë pjesë e një konflikti mes disa qytetarëve për një borxh.

Në akuzë thuhet se Janiçijeviq dhe Vukojeviq e kishin detyruar të dëmtuarin Jugosllav Andriq, që t’ia japë Dejan Velkoviqit 360 euro.

E gjithë ngjarja sipas Prokurorisë kishte ndodhur në korrik të vitit 2016 kur Andriq kishte shkuar në fshatin Drenov për të blerë dru nga personi Vladan, ndërsa aty kishte shkuar edhe Dejan Velkoviq.

Velkoviq po kërkonte nga Andriq para në shumën prej 400 euro për drurët që ia kishte shitur para një viti, ndërsa Andriq ishte përgjigjur se drurët atëherë ia kishin konfiskuar policia pasi që nuk kanë qenë të vulosura.

Prokuroria thotë se atëherë Veljkoviq filloi ta kërcënojë të dëmtuarin se do ta thërras një person që do ta djegë kamionin e tij nëse nuk i jep paratë, ose do ta thërrasë vëllanë e tij polic për t’ia marrë paratë.

Më pastaj Dejan Velkoviq kishte thirrur në telefon Policinë të cilët kishin arritur pas 10 – 15 minutave.

Gjithnjë sipas aktakuzës, njëri polic tani i akuzuari, Nebojsha Vukojeviq e kap për dore të dëmtuarin Andriq, i cili ishte në kamion.

Vukojeviqit i ka ndihmuar edhe polici, tani i akuzuari, Sreqko Janiçijeviq të cilët e kishin tërhequr të dëmtuarin Andriq 5 deri 6 metra duke e afruar deri te automjeti i Policisë.

Kurse duke e kërcënuar se do ta dërgonin në Gjykatë në Vushtrri, apo nuk do ta lëshonin nga vendi ku ishte, e detyrojnë Andriq që t’ia jap paratë Dejan Velkoviqit.

E gjitha kjo sipas akuzës ishte parë nga dy dëshmitarët Radisha Llazoviq dhe Sllobodan Pandriq të cilët kishin qenë në kamion dhe po e vështronin ngjarjen.

Prokuroria thekson se i dëmtuari Andriq nën presionin e policëve kishte nxjerrë nga xhepi paratë në shumë prej 360 euro dhe në prezencë të tyre ia jep paratë dëshmitarit Dejan Velkoviq, ndërsa ky i fundit u thotë policisë: “Lirojeni tani Jugosllavin”.

Më këtë Prokuroria i ngarkon policët me veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.